Futboll

Setien: Messi qëndron. Lautaro apo Neymar? Pse jo që të dy!

Quique Setien nuk ka ndërmend të privohet nga Lionel Messi: “Nëse do ta kem me vete vitin e ardhshëm? Shpresoj shumë – ka thënë ai për mikrofonat e Cadena Ser – Do ta bindim të qëndrojë duke i treguar se kemi një projekt fitues”. Një projekt që duhet të kalojë natyrisht nga blerje të rëndësishme, sipas fjalëve të teknikut blaugran: “Neymar apo Lautaro Martinez? Të dy janë mirë për mua …”.

Setien nuk e ka fshehur faktin  që braziliani i PSG është një objektiv konkret, por gjithashtu duke e parë në sy realitetin: “Më pëlqejnë të gjithë futbollistët e mëdhenj dhe Neymar me siguri është i tillë – ka theksuar gjatë një video interviste me radion katalanase – Për të parë nëse spekulimet konkretizohen, duhet të presim e të kuptojmë në çfarë situatë do të jenë klubet pas kësaj emergjence”.

Ish trajneri i Betis ka shprehur vlerësimin e tij për Coutinho, aktualisht në huazim tek Bayern: “Është një futbollist i madh, por kemi edhe Rafinha që është në huazim (tek Celta Vigo), Aleñá (tek Betis) e të tjerë lojtarë të rinj… Nuk mund të qëndrojnë të gjithë natyrisht. Ka ende shumë gjëra për të sqaruar. Për më tepër nuk e dimë çfarë do të bëjë Bayern, që ka opsionin për ta blerë”.

Në fund edhe një koment për situatën Rakitic, për të cilin është folur aq shumë: “Unë nuk kam patur kurrë informacion mbi faktin se ai dëshiron të largohet nga klubi, as ai vetë nuk ma ka komunikuar kurrë. Me mua ka luajtur gjithnjë shumë dhe mund të vazhdojë ta bëjë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë