Futboll

S’është parë kurrë në fushë, Serxhio Ramos mund të prishë kontratën me PSG-në

Ishte goditja tjetër e madhe e PSG-së në merkato, me parametra zero, ashtu si Mesi, Uijnaldum dhe Donaruma, por deri tani nuk është parë kurrë në fushë, as në stërvitje me grupin. Serxhio Ramos është shndërruar në një çështje në Francë, të paktën nga këndvështrimi mediatik.

E përditshmja “Le Parisien” ka hedhur edhe hipotezën e prishjes së kontratës mes palëve. Një skenar i përgënjeshtruar ky për momentin nga drejtuesit e PSG-së, të cilët drejtojnë gishtin nga mediet spanjolle për destabilizim të situatës. Ish-kapiteni i Realit pritej të ishte lidershipi i prapavijës parisiene, duke u aktivizuar bashkë me kapitenin Markuinjos dhe Kimpembe.

Rmos pozon me fanellën e PSG-së. Gazeta Si, 1 nentor 2021

Mbrojtësi mbërriti në Paris me një problem në pulpë, pas një operacioni në gjurin e majtë. Klubi e ka shtyrë shpesh rikthimin e tij, duke ngritur shumë dyshime mediatike, sidomos në Spanjë, ku fushata e blerjeve të francezëve është shoqëruar me kritika të forta.

Së fundi është “Parisien” që flet për prishje kontrate dhe kjo nuk është më “fantashkencë”. Sipas të përdtishmes franceze, klubi ka pranuar se ka gabuar në blerjen e qendërmbrojtësit veteran. Ndeshjen e fundit Ramos e ka luajtur 6 muaj më parë, në Ligën e Kampionëve kundër Çelsit. Të premten, pas fitores 2-1 me Lilën, drejtori sportiv Leonardo vendosi t’i qetësonte ujërat.

“E dinim që Ramos kishte një problem, por shtypi spanjoll ka vetëm dëshirë të thotë se është një lojtar i mbaruar. Dhe ju mediet franceze bëni lojën e tyre. Dinim gjithçka dhe njohim me detaje gjendjen e të gjithë lojtarëve tanë”, – ka thënë Leonardo. Gjatë kësaj kohe, 35-vjeçari po ndjek një program individual stërvitor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë