Gazeta Si – Mbrojtësi që luan për PSG-në ka shpjeguar se vendimi ka qenë i trajnerit aktual të Spanjës. “Modriç, Mesi, Pepe… Shembuj meritokracie, për mua nuk do të jetë kështu”, – ka shkruar Ramos në postimin e lamtumirës nga Spanja.
Ish-kapiteni i Real Madridit, që ka fituar gjithçka me Spanjën, Botëror dhe Europian, e ka zyrtarizuar tashmë tërheqjen nga kombëtarja spanjolle, por jo pa polemika. Me një postim të gjatë të publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Ramos ka qartësuar se zgjedhja ishte e trajnerit Luis de la Fuente.
“Erdhi momenti t’i jap lamtumirën kombëtares tonë të dashur dhe entuziazmuese. Mora një telefonatë nga trajneri aktual, i cili më tha se nuk më ka në plane, pavarësisht nga niveli që mund të kem, apo si do të vazhdojë karriera ime”, – shkruan Ramos.
“Me keqardhje them se është fundi i një rrugëtimi që shpresoja të ishte më i gjatë dhe që të mbyllej me një shjije tjetër, në lartësinë e të gjitha sukseseve që kam arrituur me ‘Roja’. Kjo trajektore besoj se meritonte të mbyllej me një vendim personal, ose ngaqë rendimenti im të mos ishte në lartësinë që meriton kombëtarja jonë, jo për çështje moshe, apo për gjëra të tjera që kam dëgjuar.
Të jesh më i ri apo më i vjetër nuk është një defekt, është një gjë që jo dosmosdoshmërisht lidhet me rendimentin apo aftësitë. Shikoj me admirim Modriç, Mesin, Pepen… esencën, vlerat, traditën, meritokracinë dhe drejtësinë në futboll. Për mua për fat të keq nuk do të jetë kështu, sepse futbolli nuk është gjithmonë i drejtë dhe se futbolli nuk është kurrë vetëm futboll”, – shkruan Ramos gjithashtu në postimin e tij të gjatë.
Në fund ai thekson: “Për të gjitha këto arsye, e pranoj këtë situatë me trishtim, por jam me kokën lart. Kam kujtime që nuk fshihen kurrë, me krenari do kujtoj që kam qenë lojtari me më shumë ndeshje në kombëtare”.

De la Fuente largon kështu edhe flamurin e fundit të ciklit të artë të Spanjës. Pike u tërhoq në vjeshtë, kurse Buksets pas Botërorit të Katarit. Luis Enrike e mbajti në kombëtare derisa fiziku nuk e braktisi ish-kapitenin e Realit dhe në Botërorin e fundit e la jashtë. Tani që Ramos është në gjendje të mirë fizike, De la Fuente nuk e do në kombëtare, duke i mbyllur derën e ‘Roja’-s.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




