Një nga figurat e socialistëve, Servet Pëllumbi nuk e ka refuzuar ftesën për të qenë i pranishëm në Kongresin Elektoral.
Ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi teksa futej në ambientet e Pallatit të Kongreseve në një prononcim për median deklaroi se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në krizën politike në Shqipëri, duke hequr paralele edhe me atë se çfarë po ndodh në Francë, me protestat e ‘jelekverdhëve’ kundër qeverisë.
“Mendoj se nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme, këto situata ndodhin edhe në vende të tjera, jelekverdhët në Francë kanë 5 muaj dhe Macroni vazhdon punën i qetë. Ata kanë të drejtë të protestojnë, kur e teprojnë shteti vepron me mjetet që i lejon ligji. Në Shqipëri nuk janë jelekverdhë biles edhe jeleku antiplumb i Berishës është vjetëruar”, tha Pëllumbi.
Referuar Kongresit, Servet Pëllumbi tha se ai është i një rëndësie të veçantë për situatën që po kalon vendi.
“Ky kongres pritet të japë një mesazh të fortë për qeverisjen e mazhorancës socialiste, që është me vlerë të madhe për të ardhmen integruese të Shqipërisë. Them se do të japë një mesazh për fitoren e 30 qershorit, mesazh që delegatët dhe të ftuarit do ta çojmë anembanë Shqipërisë”, tha ish-kryeparlamentari dhe një nga themeluesit e PS.
Pëllumbi hodhi poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk ka pse bëhen zgjedhje të parakohshme, në kushtetutë është përcaktuar, zgjedhjet bëhen një herë në 4 vjet dhe mund të bëhen zgjedhje të parakohshme kur humbet mazhorancës qeverisëse, nuk qeveris dot dhe nuk miraton dot një ligj, derisa një kusht të tillë nuk e kemi nuk ka pse të ketë zgjedhje se është mundim i madh për popullin dhe minus për demokracinë”, u shpreh ish-kryeparlamentari.
Ai është i mendimit se zgjedhjet lokale mund të mbahen në 30 qershor, edhe pse opozita ende nuk është shprehur nëse do të marrë pjesë ose jo në këtë betejë të re elektorale.
“Mirë është të jetë opozita, por opozita nuk është ajo që del e rrethojnë parlamentin, opozita është tek populli. Marrin nuk marrin pjesë forcat politike populli do votojë të zgjedhë përfaqësuesit e vet, qofshin të pavarur apo partiak”, tha ai.
Ndërsa e cilësoi të panevojshme që të bëjë reagim mbi qëndrimet e fundit të presidentit Meta, me një shprehje të thjeshtë: “Deklaratat që kanë panik nuk komentohen”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.