Nuk kanë të ndalur problemet me tifozët në Itali. Sërish tifozët ultras, por këtë herë ata të Torinos dhe Bolonjës. Mediet italiane shkruajnë se një grup i tifozëve të Torinos gjatë rrugës për në Romë, për të ndjekur ekipin e tyre në ndeshjen me Lacion, janë përballur me një grup tifozësh të Bolonjës, që udhëtonin drejt Napolit.

Përplasja fizike mes dy tifogrupeve ka ndodhur në zonën e Kainti në rajonin e Toskanës. Fillimisht përplasja mes dy grupeve ka qenë në disatancë duke gjuajtur më sende të forta nga autobusët e tyre. Më pas përplasja është agravuar dhe tifozët kanë filluar të gjuajnë më shashka drejt njëri tjetrit. Autobusët e të dyja tifogrupeve janë dëmtuar, madje ka pasur edhe tifozë që kanë pësuar disa dëmtime të lehta.

Ende janë të paqarta shkaqet e këtij incidenti mes këtyre dy tifozerive, që nuk shquhen për një armiqësi të theksuar mes tyre. Sipas disa portaleve italiane, incidenti është provokuar nga tifozët e Bolonjës dhe pas ka ardhur reagimi i atyre të Torinos. Në momentin që policia ka mbërritur në vendin e konfliktit, tifozët e të dyja grupimeve janë larguar. Policia ndërkohë ka hapur një hetim për këtë rast, duke tentuar të zbulojë shkaqet e ngjarjes. Ky është rasti i tretë brenda pak ditëve në futbollin italian, që tifozët ultras bëhen pjesë e incidenteve të dhunshme brenda dhe jashtë stadiumeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




