Ngjarje

Sërish të parët! Aplikime masive për lotarinë amerikane, njësoj si në vendet afrikane

Shqiptarët janë përfituesit më të mëdhenj të lotarisë amerikane në raport me numrin e popullsisë edhe për këtë vit. Sipas shifrave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për programin e vizave 2020 janë 3603 shtetas shqiptarë që janë përzgjedhur fitues nga sistemi elektronik i lotarisë, njohur si “DV Lottery”, përmes të cilit do të kenë të drejtën për të jetuar dhe punuar në SHBA 55 mijë persona në total.

Shifra nuk e rendit Shqipërinë të parën në listë, por e rendit mes të parave me një ndryshim madhor. Në krye të listës janë vende si Rusia, Irani apo Kongo, që kanë një popullsi prej dhjetëra milionë banorësh.

Numri i saktë i aplikimeve, që u kryen për 34 ditë duke nisur nga ora 6 pasdite e datës 3 tetor deri pasditen e 6 nëntorit të 2018-s do të publikohet në raportin periodik, që autoritetet amerikane e nxjerrin një herë në tre vite. Por, nisur nga shifrat e fundit të publikuara, hamendësohet se janë mbi 180 mijë aplikime për një total prej mbi 350 mijë personash. Këto shifra të hamendësuara dalin nga numrat e aplikimeve të regjistruara për vitin 2017, kur u plotësuan 187 mijë aplikime nga 367 mijë qytetarë për DV-Lottery 2018.

Për programin e vizave për 2018 u shpallën fitues rreth 4500 persona, ndërsa shifra thuajse u përgjysmua për 2019, ku sipas të dhënave të DASH fitues u shpallën 2,503 shtetas shqiptarë. Pavarësisht numrit të vogël të fituesve, prej vitesh shqiptarët renditen ndër vendet e para sa i takon numrit të aplikimeve. Në 2017 ishte rekordi prej 17 për qind e popullsisë me të drejtë aplikimi të vendit që aplikoi për lotarinë amerikane, ndërkohë që në katër vitet e fundit, shifra nuk ka zbritur poshtë 11 përqindëshit.

Për të kuptuar më mirë “ëndrrën amerikane” të shqiptarëve, mjafton të shikohen edhe për këtë vit ndryshimet drastike të numrit të fituesve në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Kështu, nga Kosova janë shpallur vetëm 260 shtetas fitues, nga Serbia 210, Maqedonia e Veriut 249, Bosnja 40 dhe Mali i Zi me vetëm 35 fitues. Diferenca e lartë mes këtyre shifrave nuk do të thotë se shqiptarët e Shqipërisë janë të preferuarit e “sistemit amerikan elektronik të përzgjedhjes”, por se aplikojnë shumë më shumë se fqinjët e tyre.

Fituesit e mëdhenj të lotarisë amerikane sipas vendeve përkatëse

Këtë e tregon edhe një analizë e publikuar një vit më parë nga qendra amerikane e statistikave, “Pew Research”. Sipas kësaj qendre, për nga shifrat e aplikimeve, Shqipëria “konkurrohet” vetëm nga vendet e Afrikës. Kështu, në Libi rreth 15 për qind e qytetarëve aplikuan për vitin 2017, në Sierra Leone rreth 14 për qind dhe nga 8 deri në 13 për qind në vendet e tjera të Afrikës Veriore dhe Qendrore.

Për në Europë, i vetmi vend që u përafrohet shifrave të aplikimeve në raport me popullsinë është Moldavia. Shifrat tregojnë se tre dekada nga hyrja në ambasada, shqiptarët vazhdojnë të kërkojnë Perëndimin. Vrulli për të ikur mbetet i njëjti, veçse tani me përparimet e teknologjisë, vrapi drejt dyerve të ambasadave bëhet virtualisht me aplikime online.

Aplikimet dhe numri i fituesve të lotarisë amerikane është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni me përmasa shumë herë më të mëdha. Sipas disa të dhënave të publikuara nga Eurostat, shqiptarët ishin azilkërkuesit më të mëdhenj për 2017 dhe po në këtë vit 57 mijë shqiptarë hoqën dorë nga shtetasia e Shqipërisë për të marrë shtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë