Kosova

Sërish protestë në Kosovë për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Gazeta Si – Sot ne ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të protestohet kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe do të kërkohet që të hedhet poshtë propozimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Protesta e sotme është organizuar nga Partia Socialdemokrate.

Partitë opozitare brenda parlamentit, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja nuk do të marrin pjesë në protestë por kanë deklaruar se e mbështesin atë.

Në një konferencë për media të premten(28 janar), kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se protesta e të shtunës do të jetë paqësore dhe se do të ketë aksione simbolike para objektit të qeverisë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilët deklaruan se nuk do të jenë pjesë e organizmit të protestës së të shtunës, kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

“Ne kuptojmë shqetësimin e secilit për këtë çështje, njëherësh prapë i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga shtrenjtimi i rrymës. Gjithashtu, ne respektojmë vullnetin e secilit për pjesëmarrje në këtë protestë dhe apelojmë që të respektohen masat anticovid”, u tha në komunikatën e AAK-së.

Për të kundërshtuar shtrenjtimin e energjisë elektrike u protestua edhe të mërkurën e 26 janarit.

“Ngrohja nuk është komoditet”, “Asnjë cent më shumë”, “Lësho rrymën, lësho rrjetin, largoje KEDS-in”, janë shkrimet në pankarta me të cilat para objektit të Qeverisë protestuan rreth dyqind protestues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë