Nga Gazeta 'Si' - Presioni ndaj Serbisë nuk ka qenë kurrë më i madh. Kështu pretendon ministri i Financave në serbi, Sinisha Mali, i cili konfirmoi se presidenti Aleksandër Vuçiç u ka dërguar letra liderëve europianë, këtë mëngjes, për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Europës.
Siç pretendon, Vuçiç u ka shkruar kancelarit të Gjermanisë Olaf Sholc, presidentit francez, Emanuel Macron, dhe liderëve të tjerë.
“Nuk e kam parë presidentin më të shqetësuar se këto ditë. Presionet dhe problemet nuk kanë qenë kurrë më të mëdha”, deklaroi ministri i Financave që përmendi si sfida, Kosovën, sanksionet ruse dhe rezolutën për Srebrenicën.
“Sfida e parë për ne është pikërisht Këshilli i Evropës dhe lufta që na pret”, tha Mali, duke shtuar se Serbia do të bëjë gjithçka që anëtarësimi i Kosovës të mos ndodhë. Ai theksoi se kushdo që e njeh Vuçiçin, e di se dorëzimi për të nuk është një opsion dhe se ai gjithmonë fiton.
Mali tha se gjatë vizitës së fundit në Francë, përveç Kosovës dhe situatës në rajon, delegacioni serb ka diskutuar edhe për çështje serioze ekonomike.// Tanjug
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




