Në të gjitha pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia ka vendosur njoftimet për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Këto njoftime u vendosën pas marrëveshjes për letërnjoftime mes dy vendeve, ku thuhet se “lejimi i përdorimit të kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.”

Në ato njoftime gjithashtu theksohet se “përdorimi i kartave të identitetit të lëshuara nga Prishtina nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për devijim nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Deklaratat janë postuar një ditë para fillimit të regjimit të ri dhe janë të shkruara në serbisht dhe anglisht.
Të shtunën, më 27 gusht, BE-ja njoftoi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për dokumentet e identitetit, sipas së cilës Serbia është pajtuar që të mos i detyrojë shtetasit e Republikës së Kosovës të marrin një dokument në hyrje i cili zhvleftëson dokumentet identifikuese të Kosovës, ndërsa edhe Kosova është pajtuar që të mos i lëshojë të njëjtat për mbajtësit e letërnjoftimeve nga Serbia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




