Kosova

Serbia shantazh Kosovës përpara dialogut me fushatën kundër njohjes së pavarësisë

Edhe pse zotohet përpara komunitetit ndërkombëtar për të kundërtën, Serbia nuk e ka ndalur fushatën kundër njohjes së Kosovën, duke lobuar në vendet e varfra që të tërhiqen nga njohja e Kosovës.

Lajmi u konfirmua nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Qeverisë së Kosovës, pak pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili pretendon se ekzistojnë shtete, që janë të gatshme që të tërheqin njohjet e Kosovës. Presidenti serb deklaroi madje se për fushatën kundër njohjes së Kosovës nuk do të pyeste as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as Europën dhe askënd tjetër.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashingtonit, më 4 shtator të vitit 2020, Kosova ka marrë obligimin që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare brenda një viti, ndërkohë që, Serbia ka marrë obligimin që të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Por ashtu sic ka ndodhur edhe më parë, Serbia duket se nuk po i përmbahet pjesës së saj të marrëveshjes.

Deklaratat e presidentit serb vijnë në prag të vazhdimit të dialogut me Kosovën dhe sipas ekspertëve kanë për qëllim që të minojnë këtë proces. Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se “për fat të keq, Serbia po dëshmon se nuk i përmbahet marrëveshjeve dhe vazhdon politikat e saj armiqësore ë raport me Kosovën”.

“Nuk kemi asnjë sinjal, i cili na bën të besojmë që Serbia ta ketë ndalur fushatën kundër njohjes së Kosovës, as më herët e as tani. Kjo është për keqardhje dhe natyrisht që ndikon edhe ecurinë e dialogut që pritet të mbahet. Qasja e Kosovës mbetet megjithatë konstruktive. Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e përkushtuar dhe po punon çdo ditë me shumë seriozitet për forcim e legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës se Kosovës”, thekson ministria

Vuçiç deklaroi së fundmi se vendi i tij duhet të përballojë presionet që do të jenë gjithnjë e më të fuqishme nga vendet e fuqishme perëndimore, të cilat e kanë njohur Kosovën. “Unë po ju them të gjithëve, bëni punën e juaj. Do të shihni se sa vende do të tërheqin njohjen e Kosovës të njëjtën ditë”, deklaroi presidenti.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës i bën thirrje BE-së dhe SHBA-së të ushtrojnë trysninë e domosdoshme ndaj Serbisë për të ndalur fushatat dhe qasjen armiqësore ndaj Republikës së Kosovës”.

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se është bërë praktikë që Serbia, edhe pse thotë që i respekton marrëveshjet ndërkombëtare, të minojë procesin e paqes dhe arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën.

Por, sipas tij, diplomacia e Kosovës, ende nuk ka dhënë shenja se është duke luftuar lobimin e Serbisë kundër njohjeve të Kosovës.

“Nga ajo që shihet, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk është marrë me këtë çështje. Ajo është marrë më shumë me çështje të brendshme politike, me çështje që absolutisht nuk lidhen me diplomacinë”, theksoi Hoti.

Ai shtoi se para momenteve të tilla, siç është vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, është e kuptueshme që të dyja palët hedhin gurë mbi njëri-tjetrin, të bëjnë plane, por edhe inskenime të ndryshme, në mënyrë që të kenë avantazh para nisjes së negociatave.

Ai vlerësoi që Serbia nuk mund të ketë sukses në të gjitha këto kërcënime dhe shantazhe, sepse nuk është shtet me fuqi globale, por sipas tij, kjo nuk do të thotë që diplomacia e Kosovës nuk duhet të punojë për legjitimitetin ndërkombëtar.

“Kjo nuk e liron Kosovës nga obligimi, që jo vetëm të mbajë lidhjet e forta, por edhe t’i intensifikojë ato dhe të shohë për shtigje të tjera për të siguruar njohje të reja. Kjo, normalisht që nuk mund të bëhet nëse nuk kemi strategji të qartë”, theksoi Hoti.
Serbia ka ndërmarrë një fushatë agresive diplomatike që nga viti 2017, për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Për shkak të lobimit të saj, disa shtete thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën.

Fushata e Serbisë, më herët, ka penguar që Kosova të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë