Analize

Serbia, “porta hyrëse” e Turqisë në Ballkan

“Serbia është një vend kyç për paqen dhe stabilitetin në Ballkan". Në forumin e biznesit Turqi-Serbi në Stamboll, Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan konfirmoi edhe njëherë se Serbia është shndërruar në aleatin më të madh të Ankarasë në Ballkanit Perëndimor.

Duke vënë në dukje se vëllimi i tregtisë dypalëshe kishte tejkaluar 1 miliard dollarë vitin e kaluar, lideri turk tha dy ditë më parë se objektivi ishte rritur në 3 miliardë dollarë.

"Ne duam të thellojmë, diversifikojmë dhe zgjerojmë aleancën tonë të biznesit në fusha të reja- u shpreh Erdogan- Turizmi është një nga sektorët ku Turqia dhe Serbia mund të zhvillojnë marrëdhëniet e tyre”.

Presidenti turk premtoi gaz, investime dhe mbështetje për Ballkanin, në një përpjekje të dukshme për të zgjeruar ndikimin në Ballkanin e frustruar nga ritmi i ngadalshëm i pranimit në BE.

Në tetor të vitit të kaluar, Erdogan ndërmori një udhëtim dy-ditor në Serbi, ku u prit me këngë dhr valle nga liderët serb, pavarësisht përplasjeve të ashpra me Turqinë gjatë kolapsit të përgjakshëm të Jugosllavisë. Me sa duket presidenti turk e ka të qartë se afrimiteti me Serbinë, mund të ndihmonte në rritjen e rolit të Turqisë në rajonin që kaloi shekuj të tërë nën sundimin otoman. Ndikimi i Turqisë është tashmë i fortë midis myslimanëve të tjerë në Bosnjë, Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa Serbia nga ana tjetër është aleati më i ngushtë i Rusisë në Ballkan.

"Së bashku me Serbinë dhe Ballkanin, duam të bëjmë hapa të mëdha drejt zgjidhjes së të gjitha problemeve", tha Erdogan gjatë vizitës në Beograd, duke njoftuar gjithashtu se Ankaraja kishte planifikuar të ndërtonte një rrugë ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës.

Vizita dhe falënderimet e Erdoganit ndaj Vuçiç për mbështetjen e tij gjatë grushtit të shtetit, nuk kaluan pa u vënë re nga Bashkimi Evropian, ku disa diplomatë janë të shqetësuar për autoritarizmin e udhëheqësve të Ballkanit në mungesë të progresit të prekshëm drejt pranimit në BE.

Duke iu referuar betejës së Kosovës, kur fitorja e Perandorisë Osmane çoi në pushtimin e shtetit mesjetar serb, Vucic tha se “nuk ndodhemi në 1389-ën, por 2017-ën, sot Serbia e konsideron Turqinë si miken e saj".

Për më tepër, Turqia duket se do të përfshijë edhe Serbinë në projektin e gazsjellësit “TurkStream”, i cili ishte menduar fillimisht për transferimin e gazin natyror nga Rusia në Turqi.

Turkstream

"Ne nuk duam përccarjen e Ballkanit apo që dikush ta shohë rajonin si sferën e tij të ndikimit. Do të ndalojmë këdo që këtë qëlllim”, u shpreh Erdogan gjatë forumit të biznesit.

Serbia nga ana tjetër gjendet e dyzuar mes anëtarësimit në BE dhe ruajtjes së marrëdhënieve me Rusinë.

"Marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së nuk janë aq mira për momentin. Ballkani është është rajoni më i afërt që turqit mund të marrin në Evropë ", tha Mahmud Busatlija, një konsulent i investimeve të huaja në Beograd.

Rreth 70 kompani turke bëjnë biznes me Serbinë dhe shkëmbimet tregtare pritet të arrijnë 2 miliard dollarë këtë vit. Erdogan ka njoftuar gjithashtu se do të nënshkruajnë marrëveshje për tregtinë e lirë me Serbinë, e cila përfshin vajin e lulediellit dhe viçat.

"Turqia dhe Serbia janë dy vende kyçe në Ballkan- deklaroi Erdogan-Prandaj, për të ruajtur stabilitetin, paqen dhe begatinë në Ballkan dhe në mbarë Evropën, bashkëpunimi midis Turqisë dhe Serbisë është vendimtar.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë