Ne rrjet

‘Serbia nuk do e sanksionojë kurrë Rusinë’ / Çfarë bisedoi Vuçiç me Putinin

Nga Gazeta 'Si'- Për herë të parë në dy vite e gjysmë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç zhvilloi ditën e djeshme një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Lajmi për bisedën telefonike mesa dy liderëve u bë i ditur nga presidenti serb përmes një postimi në rrjete sociale.

“Falënderova veçanërisht presidentin Putin, i cili siguroi se Rusia do të furnizojë sasi të mjaftueshme gazi për Serbinë këtë dimër”, tha Vuçiç në një video-mesazh të postuar në rrjetet sociale.

Vuçiçi theksoi se Serbia, edhe pse nje vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, nuk do të ndryshoje qëndrimin për sa i përket mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë.

Megjithatë pas pushtimit të Ukrainës, Serbia dënoi shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës dhe që prej asokohe kontaktet e Putinit me Vuçiçin mbetën të kufizuara.

Në videon e publikuar një ditë më parë Vuçici shprehu mirënjohjen e tij për Rusinë për mbështetjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Serbisë në OKB.

Ndërsa në një deklaratë zyrtare, Kremlini tha se Putini dhe Vuçiçi shprehën kënaqësinë e tyre për nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, duke shtuar se ata konfirmuan synimin e tyre për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Kujtojmë se Serbia ra dakord për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz në vitin 2022 nga Rusia, në kohën kur skadoi  marrëveshja e mëparshme 10-vjeçare me gjigantin rus të energjisë Gazprom.

Beogradi është kritikuar për qëndrimin neutral në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe refuzimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Moskës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë