Bota

Serbia ngatërroi votën në OKB në favor të Ukrainës, Rusia ‘fal’ Vuçiçin: Gabime teknike

Nga Gazeta ‘Si’– Kremlini “ka falur” presidentin serb Aleksander Vuçiç pas një votimi të gabuar të Serbisë pro rezolutës europiane për Ukrainën.

“Sigurisht e dëgjuam dhe e pranojmë faljen. Ndodhin gabime teknike dhe natyrisht një reagim kaq i shpejtë nga kreu i shtetit na bën shumë përshtypje”, u tha Peskov gazetarëve.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha menjëherë pas votimit se Serbia “u ngatërrua” duke votuar pro rezolutës europiane për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kur në fakt duhej të kishte abstenuar.

Votimi pro i Serbisë

“Sa i përket rezolutës amerikane, abstenuam, ashtu siç duhej. Sipas mendimit tim, duhej të kishim abstenuar edhe për rezolutën evropiane”, tha Vuçiç ndërsa shtoi se Serbia nuk duhet t’i bëjë lajka as Rusisë dhe as SHBA-së, por duhet të ishte e përmbajtur.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë të hartuar nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë me rastin e përvjetorit të tretë të luftës në Ukrainë.

Rezoluta bën thirrje për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Ajo riafirmon rezolutat e mëparshme të OKB-së që kërkonin tërheqjen e menjëhershme, të plotë dhe të pakushtëzuar të Rusisë nga kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Rusia dhe SHBA-ja votuan kundër saj./ Novosti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë