Bota

Serbia nënshkruan marrëveshjen me Francën për blerjen e avionëve Rafale

Nga Gazeta 'Si'-Serbia nënshkroi sonte në mbrëmje(29 gusht) një marrëveshje me Francën për blerjen e avionëve ushtarakë francez Rafale, në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Marrëveshja me vlerë prej 3 miliardë eurosh sipas zyrtarëve francez është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron arriti të enjten në mbrëmje në Beograd, për të forcuar lidhjet me Serbinë dhe për ta afruar atë me Perëndimin, ndërsa vendi ballkanik rrugëton në vijën e ngushte midis përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha në Pallatin e Serbisë se presidenti francez Emmanuel Macron tregoi edhe një herë respekt për popullin serb duke vizituar Serbinë.

“I nderuari President i Republikës Franceze, i dashur Emanuel, mirë se erdhe edhe një herë në Serbi dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë t'ju pres në Beograd, dhe veçanërisht falë faktit që ju, si një nga të paktët presidentë dhe kryeministra, shprehu vullnetin dhe dëshirën për të vizituar ndonjë qytet tjetër përveç Beogradit”, tha ai në një fjalim në prani të presidentit francez Emmanuel Macron.

Ai gjithashtu tregoi se nesër së bashku do të vizitojnë Novi Sadin.

Presidenti Emanuel Macron tha se bashkëpunimi me Serbinë ka përjetuar një ngritje të re.

“Sot, me praninë time, dëshiroj të dërgoj edhe një herë një mesazh miqësie nga Franca në Serbi dhe të deklaroj në mënyrën më vendimtare se vendi juaj ka një vend në Evropë, në Bashkimin Evropian”, tha Macron.

“Bashkëpunimi ynë ekonomik është forcuar, kompanitë franceze janë angazhuar në projekte afatgjata infrastrukturore si metroja e Beogradit, modernizimi i aeroportit ‘Nikola Tesla’, ku nesër do të shohim përfundimin e punimeve, modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, menaxhimin e mbetjeve dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë”, theksoi Macron.

Gjatë vizitës së tij dyditëshe, Presidenti Macron pritet të diskutojë me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç, një gamë çështjesh, përfshirë blerjen e avionëve francezë Rafale si dhe çështjet e energjisë dhe inteligjencës artificiale.

Në një shkrim autorial të publikuar të enjten në të përditshmen pro qeveritare të Serbisë Politika, Presidenti Macron shkroi se Beogradi mund të ruajë qëndrimin e tij të pavarur "vetëm nën kujdesin e BE-së".

"Me shpërthimin e luftës në kontinentin tonë, të nisur nga Rusia, ... ideja se Serbia mund të kërkojë rrugën e saj në lojën e përjetshme të drejtpeshimit midis fuqive... është thjesht një iluzion", shkroi ai.

Bashkimi Evropian mbetet investuesi më i madh në Serbi dhe qindra mijëra serbë punojnë në kompanitë perëndimore.

Në shkrimin e tij autorial, Presidenti Macron trajtoi edhe çështjen e pakicës serbe në Kosovë, duke ritheksuar përkushtimin ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të një plani të hartuar nga Franca dhe Gjermania.

Ai shkroi se propozimi franko-gjerman ruan “mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë duke respektuar ligjin, por duke mos hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë, por edhe ekzistencën e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë