Një ditë përpara takimit të parë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Beogradi zyrtar i ka dërguar Prishtinës zyrtare një mesazh, duke i rikujtuar krijimin e Asocacionit të Komunave Serbe në Veri.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç ka folur para dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se Prishtina “po gjeneron një atmosferë jashtëzakonisht të vështirë para vazhdimit të dialogut”.
Beogradi, sipas Petkoviç do të insistojë në formimin e Asociacionit që në takimin e së martës në Bruksel.
Në një deklaratë për mediat serbe Petkoviç ka thënë se “që Serbisë dhe presidentit serb do t’i bëhet presion” nga të gjitha anët.
“Ka një presion të madh ndaj Beogradit dhe Vuçiçit, dhe nga ana tjetër mbështetje të madhe nga Perëndimi ndaj Kurtit, sepse Kosova është një fëmijë i fuqive perëndimore dhe nuk duhet të kritikohet “, deklaroi Petkoviç.
Kurti do të ulet për herë të parë përballë presidentit Vuçiç, duke shënuar kështu dhe rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbi. Takimi do të mbahet pa praninë e mediave dhe në fund, në orën 13.00 është parashikuar një konferencë e të dërguarit special për dialogun Miroslav Lajçak.
Kurti, ka deklaruar se Kosova do të paraqitet në Bruksel si palë e barabartë me Serbinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




