Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa Kosova festoi 18 vjetorin e pavarësisë, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe sulmoi sërish shpalljen e 17 shkurtit, duke e cilësuar si “humbje për rendin juridik ndërkombëtar”.
Në reagim e drejtorit të Zyrës për Kosovën, Peter Petkoviç për mediat serbe thuhet se Serbia do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial, ndërsa strukturat politike në Kosovë përshkruhen si “separatiste”.
Beogradi pretendon se pavarësia ka sjellë diskriminim ndaj serbëve në Kosovë dhe e paraqet çështjen si betejë për parimet e OKB-së.
“Serbët në Kosovë gjatë tetëmbëdhjetë viteve të fundit, si viktima të prirjeve separatiste të strukturave politike ekstreme shqiptare, janë përballur me gjithë shkatërrimin e urrejtjes shoviniste dhe janë ekspozuar ndaj çdo lloj dhune. Të drejtat e njeriut të serbëve në Kosovë janë aq të rrezikuara saqë pa asnjë hezitim mund të thuhet se bëhet fjalë për popullin më të rrezikuar në territorin e Evropës bashkëkohore.
Lufta jonë politike dhe diplomatike për Kosovën nuk është vetëm një detyrim ndërkombëtar-juridik, por edhe moral dhe çështja më e rëndësishme kombëtare, dhe do të udhëhiqemi nga këto parime dhe do të kujdesemi për popullin tonë për sa kohë në krye të Serbisë është presidenti Aleksandar Vuçiç”, thuhet në deklaratë.
Më tej thuhet se Serbia, duke luftuar për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, do të mbrojë jo vetëm interesat e saj jetësore shtetërore dhe kombëtare, por edhe vetë themelet e rendit juridik ndërkombëtar të bazuar në Kartën dhe vlerat e Kombeve të Bashkuara.
“Qëndrimi i Serbisë njihet nga shumica e njerëzimit, sepse ekziston një mirëkuptim se shkelja flagrante e së drejtës ndërkombëtare e kryer nga shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës ‘Kosovë’ nuk është vetëm një sulm ndaj së drejtës ndërkombëtare, por edhe fillimi i një infeksioni që kërcënon të rrezikojë interesat e shumë shteteve që kanë lëvizje separatiste në territorin e tyre”, thuhet në deklaratë.
Kosova shënon 18 vite si shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 vende të botës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje