Kosova

Serbia: Kosova i ndaloi hyrjen Petkoviçit për festën e Vidovanit. Nuk do normalizim marrëdhëniesh

Nga Gazeta 'Si'-Ditën kur presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti pritet të takohen në Bruksel, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se drejtorit të saj, Petar Petkoviç i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

“Që një vit e gjysmë, Petkoviçit është duke iu ndaluar dhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, tha Zyra serbe në një njoftim.

Ajo tha se vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

Autoritetet në Kosovë, deri më tani, nuk kanë dhanë ndonjë njoftim.

Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan - rreth 10 kilometra larg Prishtinës.Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Zyra serbe e akuzoi Kurtin se me ndalimin e Petkoviçit “deshi të tregonte se nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, në ditën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ndodhen në Bruksel për një takim të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

Vitin e kaluar, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë - Lista Serbe - thuhet se komuniteti serb në Kosovë është “i ekspozuar ndaj dhunës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë