Kosova

Serbia i ndalon hyrjen zv.kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi

Gazeta Si – Serbia bllokon hyrjen në territorin e saj të zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi. Numri 2 i qeverisë ishte nisur drejt kryeqytetit serb, Beograd, për të marrë pjesë në një konferencë dyditore, në të cilën temë diskutimi ishin edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas mbërritjes në pikën kufitare në Merdare, Bislimi deklaroi se me vendimin e së enjtes për kthim prapa, Serbia dha sinjal që nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve.

Besnik Bislimi. Gazeta Si, 27 tetor 2022

“Sot dhe nesër ishte parashikuar të isha pjesë e dy ngjarjeve në Beograd. Kemi pasur të parapara disa takime të tjera dhe intervista për mediat në Beograd. Për këtë kemi paraqitur kërkesë para organeve qysh javën e kaluar dhe ka qenë e aprovuar.

Sot gjithçka ka qenë në rregull derisa na u tha se siguria ka qenë e cënuar, që për ne është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme drejt normalizimit”, – ka thënë ai në konferencën për media.

Më tej Bislimi tha se edhe pse kthimi i tij ndodhi “për arsye të sigurisë”, nuk është ndierë i kërcënuar. Megjithatë, ai ka respektuar vendimin e autoriteteve.

“Ndalesa ka ndodhur diku 85 km para se të mbërrija në Beograd. Ka pasur vonesa këtu dhe ka pasur deklarime që nuk do të lejohet një pjesë e vizitës, sepse nuk është paralajmëruar nga organizatorët me kohë.

Ata kanë treguar qasjen e tyre, por cila ka qenë prapavija nuk ja vlen të spekulojmë. Ne nuk jemi ndierë të kërcënuar, por kur autoritetet vendosin është problem që të themi se duam të vazhdojmë”, – theksoi numri dy i qeverisë së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë