Ne rrjet

Serbia duhet të mposhtë Aleksandar Vuçiçin, jo Kosovën

Nga Daniel Serwer* – Pranimi nga ana e SHBA-së pa asnjë protestë të zëshme i aktit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, nuk përputhet me ndonjë lloj ndryshimi serioz të politikës amerikane në Ballkan. Qasja qetësuese ndaj njeh pak kufij. Kryengritësit e sponsorizuar dhe të trajnuar nga Beogradi nuk ishin luftëtarë të lirisë. Përkundrazi, ata ishin paramilitarë dhe po vepronin në dobi të  vullnetit të shtetit serb dhe kundër shtetit të Kosovës, të cilin SHBA-ja e njeh, dhe thotë se e vlerëson si partnere.

Kjo është një marrëzi

Kanë kaluar mbi 6 javë që nga ajo ngjarje, pa ndonjë reagim të dukshëm të SHBA-së apo BE-së, përtej disa kritikave të buta. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka shpërfillur BE-në duke marrë pjesë në një samit të organizuar nga Pekini mbi projektin e tij gjigant “Një Brez, një Rrugë”.

Nuk është për t’u habitur që takimi i fundit i sponsorizuar nga BE-ja ndërmjet Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk arriti të shënojë ndonjë përparim të dukshëm. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duan që Kurti të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe (ASMM), por pa ndonjë kërkesë serioze ndaj Vuçiç.

Ky i fundit nuk dëshiron ta shohë Kosovën që t’i bashkohet OKB-së, pavarësisht marrëveshjes së arritur në shkurt të këtij viti, e cila supozohet se është “ligjërisht e detyrueshme”, për të mos e penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Unë po citoj një pjesë të pikës 4 të atij pakti:“Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Por Vuçiç këmbëngul se për Beogradin, njohja e ndërsjellë e pavarësisë është diçka jashtë çdo lloj diskutimi.

Faji është kryesisht i Beogradit

Serbia është fajtorja kryesore për ngërçin aktual. Ajo ka refuzuar të respektojë marrëveshjet, për të cilat BE dhe SHBA pretendojnë se janë ligjërisht të detyrueshme. Beogradi u ka kërkuar serbëve të mos përdorin targat e Kosovës, të bojkotojnë zgjedhjet atje dhe të sulmojnë policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë.

Po ashtu, ai nuk po i përmbahet as marrëveshjes së vitit 2013, e cila hodhi idenë e Asociacionit dhe që parashikon që kushtetuta e Kosovës të zbatohet në veri, me dispozita të shumta për pjesëmarrjen e serbëve. Megjithatë, edhe BE-ja ka fajet e saj për atë që po ndodh në Kosovë.

Brukseli po kërkon me ngulm largimin e kryetarëve të komunave serbe në veri, të zgjedhur sipas të gjitha rregullave demokratike, por që nuk janë serbë. Prej tyre kërkohet të mos përdorin zyrat e tyre në ndërtesat komunale të Kosovës veriore, dhe synohet që ta detyrohet Kosova të reduktojë praninë e saj policore atje.

Unë kam mësuar se vetëm njëri nga 4 kryetarët e komunave shkon çdo ditë në zyrën e tij komunale. Prania e policisë së Kosovës në veri, është zvogëluar për shkak të kushteve të përmirësuara të sigurisë. Por nuk ka asnjë shenjë lehtësimi nga ana e BE-së.

Asociacioni

Thelbi i gjithë këtij ngërçi është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Në takimin e tyre të fundit, BE-ja i dha Vuçiç dhe Kurtit draftin mbi statutin që do të ketë ky organ. Unë shpresoja se do të kishte rrjedhje informacioni mbi të, por me sa duket nuk ka pasur.

Pyetja kryesore është nëse ky draft garanton se Asociacioni do të funksionojë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, dhe nuk do të shndërrohet në një qeverisje paralele në veri, siç po ndodh me Republika Srpska në Bosnje. Kjo e fundit e ka bërë Bosnjën një shtet jofunksional.

Republika Srpska e ka origjinën tek 6 rajone autonome serbe, të cilat u bashkuan për të formuar njësinë më të madhe. Ky është një precedent, të cilin SHBA dhe BE nuk duhet ta lejojnë të përsëritet. Dhe unë nuk kam parë asnjë garanci se kjo gjë nuk do të ndodhë.

Amerikanët kanë publikuar një editorial ku zotohen se ajo nuk do të ndodhë. Por ata nuk janë të gatshëm të ndjekin një qasje të ashpër për ta parandaluar këtë skenar. As evropianët nuk janë të përgatitur të angazhohen në një sjellje ndryshe. Pa një garanci të tillë, edhe një propozim i përpunuar mirë si ai i Institutit Evropian të Paqes dhe i Fondacionit Friedrich Ebert, rrezikon të hedhë bazat për ndarjen e Kosovës dhe shkëputjen e një pjese të saj.

Cila është rruga e duhur

Amerikanët ia dolën javën e kaluar të impononin dorëheqjen e shefit të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë Serbe, Aleksandar Vulin. Ky i fundit është një avokat i guximshëm i “Botës Serbe”, një term i koduar për Serbinë e Madhe, që përfshin edhe planin për ndarjen e Kosovës.

Në këtë kuadër, është e vështirë të mos dyshohet se ai e mbështeti sulmin e 24 shtatorit, duke ofruar si mbështetje materiale ashtu edhe politike. Por dorëheqja e tij, nuk mund të zëvendësojë nevojën për një ndryshim të madh që duhet të ndodhë në politikën e Beogradit, dhe që mund të vijë vetëm nga vetë presidentit Vuçiç.

Ai duhet të pranojë përgjegjësinë për komplotin e 24 shtatorit, të kërkojë ndjesë, dhe të premtojë se nuk do të ndodhë asgjë e ngjashme në të ardhmen. Por shanset për këtë janë thuajse zero. Vuçiç ka thirrur më 17 dhjetor zgjedhjet parlamentare dhe lokale,duke shpresuar se ato do të forcojnë mbështetjen e tij.

Ose të paktën do t’i japin një mandat të ri. Në mesin e fushatës zgjedhore, ai nuk do t’i kërkojë falje Kosovës për asgjë. Por as pas saj. Më e mira që mund të ndodhë tani është humbja e koalicionit aktual qeverisës. Opozita pretendon se është e bashkuar në një koalicion nën moton “Serbia kundër dhunës”.

Ky është një lajm i mirë. Tani ajo duhet të përqendrohet në fitimin e besimit të votuesve të tyre shpesh të rinj, të majtë dhe liberalë, ambientalistë dhe kundër dhunës në qendrat e votimit. Serbia duhet ta mposhtë Alaksandar Vuçiç dhe jo Kosovën.

Burimi: Dtt-net/ Përshtati Gazeta Si

*Daniel Serwer, është profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare, SHBA* 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë