Ne rrjet

Serbia dhe Maqedonia e Veriut lehtësojnë kufijtë

Serbia duket se i është kundërpërgjigjur iniciativës së qeverisë shqiptare për të hequr kufijtë me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut duke lehtësuar kufirin e saj me këtë të fundit, por edhe me Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe të Serbisë hapën një pikë të përbashkët kufitare në vendkalimin kufitar Tabanovce-Preshevë, projekt që u përurua të hënën nga kryeministrat Zoran Zaev dhe Ana Brnabic.

Sipas nismës për menaxhimin e përbashkët  të kufijve, pasagjerët do të duhet të bëjnë një ndalesë të vetme kur kalojnë kufirin Serbi-Maqedoni e Veriut.

“Kjo pikë do lehtësojë dhe përshpejtojë lëvizjen e pasagjerëve dhe mallrave dhe do të kufizojë kohën e pritjes duke krijuar mundësi për bashkëpunim më të mirë ndërmjet komuniteteve të rajonit”, deklaroi kryeministrja e Serbisë gjatë inaugurimit.

“Kjo është faza e fundit për të krijuar kushte për tregti më të mirë të mallrave dhe lëvizje më të mirë të udhëtarëve. tha kryeministri Zaev “. Projekti kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.

Vendkalimi kufitar Tabanovce-Preshevë, Gazeta Si, 26 gusht 2019

Por a ishte kjo lëvizje e Serbisë një kundërpërgjigje ndaj iniciativës së qeverisë shqiptare për heqjen e kufirit Kosovë-Shqipëri, ku më pas pretendon të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut?

Lehtësimi i kufirit Serbi-Maqedoni e Veriut erdhi vetëm disa muaj pasi Beogradi shpërtheu me deklarata të paprecedente për shkak të “heqjes së kufirit” mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo iniciativë e Prishtinës dhe Tiranës është pritur me nota alarmante nga Serbia, e cila ka akuzuar vazhdimisht politikanët shqiptarë se po përpiqen të krijojnë “Shqipërinë e Madhe”.

Duke komentuar deklaratën e Ramës se përveç me Kosovën, Shqipëria do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Zaev ka thënë se "edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë". Kjo, thotë Zaev, do të sjellë përfitime të mëdha për rajonin. “Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë”.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Ana Brnabic. Gazeta Si, 26 gusht 2019

Zaev ka thënë se ai nuk sheh "asgjë kontroverse në qëndrimin e kryeministrit shqiptar lidhur me hapjen e kufijve me fqinjët, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut". Sipas kryeministrit, në fakt, kjo ide do të sillte edhe përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit. Edhe pse pala shqiptare po punon ende për lehtësimin e kufirit me Maqedoninë, Beogradi duket se është treguar më i shpejtë. Qeveria shqiptare po punon ngushtësisht edhe me Maqedoninë e Veriut për një marrëveshje për pika të përbashkëta kufitare, ashtu siç ka ndodhur më herët me Kosovën, në pikën kufitare të Morinës, por kjo pikë nuk është hapur ende.

Në maj, Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi firmosën një marrëveshje që në kufirin e përbashkët mes tre vendeve do të ngrihet një pikë e vetme kufitare.

Kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev. Gazeta Si, 26 gusht 2019

Heqja e kufirit mes Bonjës, Serbisë dhe Malit të Zi u hodh si ide në Podgoricë vetëm një ditë pas deklaratës së kryeministrit Rama për lehtësimin e kufirit me Kosovën. Dy deputetë të opozitës në Mal të Zi, Andrija Mandiç dhe Milan Knezheviç prezantuan këtë iniciative, duke quajtën heqjen e kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë si një tendencë të rrezikshme që mund të çojnë në konflikte të mëdha. Ata dhanë një deklaratë të përbashkët për mediat, duke theksuar se Serbia gjithmonë ka qenë “motori nxitës i Ballkanit” dhe se Mali i Zi duhet t’u druhet lëvizjeve të tilla nga liderët shqiptarë.

“Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama po shkojnë drejt krijimit të një koalicioni anti-serb i përbërë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia dhe Kosova”, deklaruan ata.

Edhe presidenti Aleksandër Vuçiç u përgjigj duke pretenduar se marrëveshja ishte pjesë e një plani më të gjerë për të minuar Serbinë. “Është e qartë për mua se ata do të ndërtojnë mbi planin e tyre. Kur e fshijnë kufirin, ata do të shfuqizojnë taksat që kanë vënë për mallrat nga Serbia dhe thonë se janë gati të flasin. Por ata do ta bëjnë këtë nga një pozicion tjetër, një Kosovë të unifikuar me Shqipërinë “, tha Vuçiç.

Marrëveshja zyrtare mes Tiranës dhe Prishtinës për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar si dhe për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar u firmos më 29 dhjetor në Morinë, nga Ramush Haradinaj dhe dy ministrat e Brendshëm respektivë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë