Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë nisur drejt Brukselit për të nisur raundin e dytë dialogut mes dy vendeve, që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Albin Kurti.
Gjatë të martës, pritet që delegacionet të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet një takim ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Ai ka thënë se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
“Palët janë pajtuar për nisjen e vizitave zyrtare. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen sepse ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribuon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut”, ka thënë Peter Stano.
Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ia ka ndaluar shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkovicit vizitën në Kosovë.
Më 3 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës tha se i ndaloi hyrjen, pasi në tri vizitat e fundit të tij, kreu i delegacionit serb kishte bërë “deklarata provokuese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




