Politike

Serbia bojkoton samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, shkak qëndrimi i Europës për Kosovën

Gazeta Si – Serbia vendosi të bojkotojë samtin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet më 6 dhjetor në Tiranë.

Sipas presidentit Aleksandër Vuçiç, një gjë e tillë vjen pas reagimit të butë të BE-së ndaj emërimit në Kosovë të Nenad  Rashiç, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete.

“Më mirë të mos jem sesa t’ua dorëzoj në duar. Dhe nuk do t’ua dorëzoj. Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë me 6 dhjetor për shkak të reagimit të butë të Bashkimit Europian. Jo vetëm që i kanë shkelur të gjitha normat e marrëveshjes së Brukselit, por edhe të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare”, tha Aleksandër Vuçiç

Vuçiç iu referua një deklarate të zëdhënësit të BE-së për mediat serbe i cili tha se, “është me rëndësi thelbësore që emërimet e ministrave të bëhen në pajtim më Kushtetutën e Kosovës. Në rastin konkret i bëjmë thirrje Kosovës të sigurohet që janë përmbushur të gjithë hapat procedural për emërimin e ministrit që përfaqëson bashkësitë jo shumicë”.

Emërimi i ministrit Rashiç u bë më pak se një muaj pas dorëheqjes se ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Dorëheqja pasoi protestën e përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës me vendimin e qeverisë qendrore për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Më 23 nëntor Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave që çoi në uljen e tensioneve në veriun e Kosovës, por jo kthimin e punonjësve serbë në institucione.

Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën se largimi i serbëve nga institucionet ishte vendim politik dhe se kthimi i tyre duhet të bëhet në rrugë ligjore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë