Analize

Serbia, “Babagjyshi” i vaksinave në Ballkan

Dy javë më parë, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ishin në negociata për marrjen e rreth 5 mijë vaksinave nga Pfizer. Shkupi donte t’ia blinte Serbisë vaksinat, ashtu siç do t’i blinte në kushte normale nga kompania farmaceutike, por presidenti serb Aleksandër Vuçiç nuk ishte dakort, duke këmbëngulur t’ia jepte Maqedonisë së Veriut këto doza si donacion.

Sot Shkupi pret dërgesën e dytë të vaksinave të dhuruara nga Serbia, falë të cilave nisi fushatën e vaksinimit me mjekët në vijën e parë të betejës. Por Maqedonia i Veriut ishte e para në listën e “Babagjyshit” të Serbisë.

Disa ditë më parë, Beogradi i dhuroi po ashtu Malit të Zi mori 2,000 doza të vaksinës ruse Sputnik V dhe do të dërgojë të enjten edhe pesë mijë doza të tjera të vaksinës ruse. Në Bosnjë Hercegovinë ndërkohë, Beogradi ka dërguar rreth tre mijë doza të vaksinën ruse, duke premtuar të tjera dërgesa në ditët në vijim. Fillimisht asnjë prej vendeve ta rajonit nuk ishin dakort të pranonin donacione nga Serbia, por pas vonesës së dërgesave të vaksinave nga Covax dhe BE-ja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja u dorëzuan.

Serbia mund ta luajë rolin e bamirësit me fqinjët pasi ka fushatën e dytë më të suksesshme të vaksinimit në Europë, pas Britanisë së Madhe. Ajo ka arritur të sigurojë doza nga dy kompanitë farmaceutike Perëndimore, Pfizer dhe Astrazenerca dhe ka parë njëkohësisht edhe nga Lindja, duke  marrë qindra mijëra doza vaksine nga Kina dhe Rusia. Serbia është tanimë vendi i vetëm në botë ku mund të gjenden të gjitha vaksinat në dispozicion kundër Covid-19.

Por përse po bën Serbia rolin bamirëses në rajon?

Edhe pse presidenti Vuçiç këmbëngul se nuk ka vend për gjeopolitikë kur bëhet fjalë për koronavirusin, ajo duket se po i shërben Serbisë për t’u afruar sërish me Malin e Zi, më të cilin ka pasur në sërë tensionesh, dhe të shtrijë ndikimin politik në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë.

Një mik i vërtetë është ai që ju ndihmon kur jeni në telashe”, është shprehur Vuçiç kur i dorëzoi 4600 dozat e para kryeministrit Zaev. “Serbia nuk ka interes tjetër përveç se të tregojë miqësi me popullin dhe shtetin maqedonas. Kjo është dhurata më e zakonshme, për të cilën jemi të sigurt që do të na bënit edhe ju.”

Serbia mësohet se i ka propozuar Maqedonisë së Veriut t’i dhurojë Serbia plot 100 mijë vaksina, 90 mijë prej të cilave do të ishin kineze dhe 10 mijë ruse. Por kryeministri Zoran zaev mësohet se ka hedhur poshtë ofertën, duke vendosur të lidhet vetë më kompanitë kineze.

Ndërkohë, kundërshtarët e Vuçiç në Serbi e kanë quajtur dhurimin e vaksinave për fqinjët një tjetër lëvizje e tij politike populiste që synon ta portretizojë atë si udhëheqësin kryesor rajonal. Ata thonë se shumë në Serbi janë ende duke pritur në radhë për t’u vaksinuar me vaksinën e Pfizer.

Oferta e Serbisë për dhurimin e vaksinave bëri që shumë nga shtetet në rajon po rishikojnë strategjinë e tyre për të pritur doza nga Perëndimi, duke i shtyrë po ashtu drejt blerjen e tyre kineze dhe ruse. Për momentin e vetmja që ka nuk ka siguruar asnjë vaksinë është Kosova, e cila ashtu si Shqipëria ka vendosur të “shikojë” nga Perëndimi

Serbia ka ofruar po ashtu të gjithë qytetarëve të Republikës Srpska të vaksinohen në Serbi, duke ndjekur të njëjtën strategji që ndoqi me Kosovën. Beogradi ka në fakt mundësi të dhurojë vaksina për rajonit dhe të vaksinojë popullsinë e saj, pasi ka nisur prodhimin e vaksinës ruse.

“Vlerësimi ynë është se ne jemi në gjendje të prodhojmë 20 milionë doza të vaskiëns Sputnik V. Na duhen pesë deri në gjashtë milion, dhe pjesa tjetër mund të shitet në rajon, “tha Vuçiç.

Vuçiç deklaroi se Serbia ka nënshkruar marrëveshje për më shumë se 10 milion doza të vaksinës dhe se deri më tani ka marrë rreth 2 milionë doza.  Për të rritur ndikimin  në rajon, ajo vendosi ta prodhonte Sputnik V në Serbi. Edhe para fillimit të prodhimit, suksesi i Serbisë në sigurimin e vaksinave nga burime të shumta , në përputhje me politikën të jashtme duke ruajtur marrëdhënie të mira me BE, SHBA, Rusinë dhe Kinën, ka bërë atë një nga kombet më të përparuara për sa i përket vaksinimit.

Kompania farmaceutike ruse Generium, prodhuesi i vaksinës, ka filluar transferimin e teknologjinë dhe për të ndihmuar trainimin e personelit për prodhimin e vaksinës në Serbi.

“Pala ruse menjëherë iu përgjigj kërkesës sonë për prodhimin e vaksinës Sputnik V në Serbi, dhe nga niveli më i lartë në udhëheqjen e shtetit rus, u urdhërua të gjente një mënyrë për të vendosur prodhimin e kësaj vaksine në Serbi sa më shpejt të jetë e mundur , “tha ministri serb i inovacionin, Nenad Popoviç, gjatë një vizite në fabrikën e prodhimit të Generium në Rusi, gjatë fundjavës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë