Gazeta Si – Shqipëria arrin një fitore historike në Leskovc në ndeshjen përballë Serbisë, ku fitoi me rezultatin 0-1.
Atëherë kur dukej se pjesa e parë po mbyllej me barazim, Rei Manaj shtangu portierin serb me goditjen nga brenda zonës, duke shënuar një supergol në fund të pjesës së parë.
Manaj festoi duke bërë shqiponjën me duar, ndërsa për pasojë mori edhe karton të verdhë nga arbitri pasi simbole të tilla nuk janë të lejueshme.

Menjëherë pas këtij simboli tifozët serbë nisën me fyerjet raciste dhe me thirrje skandaloze të tilla si ‘’mbyte shqiptarin’’.
Goli i Manajt solli festë në Tiranë ku qindra tifozë u entuziazmuan teksa ndiqnin ndeshjen para ekranit të madh të vendosur në sheshin ‘’Italia’’.
Pjesa e parë
Një fraksion loje i barabartë deri në minutën e parë shtesë. Ndeshja filloi shpejt me Brojën që tregoi menjëherë rrezikshmërinë e tij në zonë kur vuri Pavlovic në provë në 2′.
Serbët e marrin veten menjëherë dhe kundërpërgjigjen me Kostic që kroson rrezikshëm nga e majta. Vendasit tregohen më kërkues, nisur edhe nga gabimi i Brojës që e mban topin më shumë në zonë.
Për të ndihmuar Mitajn kthehet edhe Manaj në mbrojtje duke hequr topin në hyrje të zonës. Në një nga sulmet e kuqezinjve, Hysaj krosoi për Manajn por goditja e tij në ajër, nuk ishte e saktë.

Vlahovic provon në 26′ por ndalet nga Strakosha. Stankovic shkaktoi një faull ndaj Laçit por Mitaj nuk përfitoi nga goditja e dënimit.
Ndeshja zhvillohet me tone të qeta që aty këtu prishen nga goditjet e këndit. 4′ më pas kombinimi Kostic-Vlahovic nxjerr sulmuesin juventin përpara Strakoshës por gjuajtja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë.
Strakosha shfaqet i sigurtë në portë duke ndalur Samardzic ndërsa është Asllani që nuk shfrytëzon një mundësi të shkëlqyer, 4′ përpara pushimit.

Pjesa e dytë
Pjesa e dytë pritej të ishte e vështirë për Shqipërinë, por Broja dhe Asllani treguan se kuqezinjtë nuk dinë vetëm të mbrohen por edhe të rrezikojnë.
Ndërsa në portë Strakosha tregoi siguri ashtu si në pjesën e parë, sërish ndaj Samardzic.
Serbët këmbëngulnin për golin e barazimit, por çdo minutë që kalonte ishte kundër tyre.
Nervozizëm i dukshëm dhe presion në rritje ndaj Mitrovic, Vlahovic dhe Jovic që nuk konvertuan mundësitë përpara Strakoshës.

Lojë e mirë e Julian Shehut tek kuqezinjtë që edhe pse me karton të verdhë nga pj e 1’rë, nuk kursehet në thyerjen e aksioneve të vendasve.
Maksimovic shkaktoi faull ndaj Manajt dhe Asllani merr përsipër goditjen e dënimit, por pa rezultat.
Pak sekonda më pas fillimisht Pavlovic nuk gjen portën ndërsa Veljkovic në aksionin pasardhës gaboi nga goditja e dënimit.
Manaj shfaqet gjithnjë problematik dhe fiton faullin e rradhës ndaj Samardzic.

Sërish Asllani nuk përfiton nga goditjet standarte.
Pas Hoxhës që mori vendin e Brojës, Bajrami zëvendësoi Laçin dhe Daku u fut për në vend të heroit Manaj.
Presioni rritet gjithnjë e më shumë dhe serbë fillojnë e ngarkohen me faulla me kalimin e minutave.
Ndërsa te kuqezinjtë edhe Daku kthehet në veprime mbrojtëse.

Jovic i afrohet barazimit, por Strakosha reagon saktë, si në çdo rast më herët.
3 minuta shtesë që konfirmojnë formën e Strakoshës, heroi kuqezi në pjesën e dytë.
Fillimisht Pavlovic dhe më pas Jovic u ndalën prej tij. Mihaj zëvendësoi Uzunin ndërsa Bajrami shpërdoroi golin e dytë përballë Petrovic.
Kostic ishte mundësia e fundit por Strakosha siguroi 3 pikë historike që konsolidojnë vendin e 2 me 11 pikë, 4 më shumë se Serbia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


