Futboll

Serbi i zbuluar nga Tare zgjodhi Malin e Zi, Kolarov e sulmon

Adam Marusiç është një lojtar i Lacios, një prej zbulimeve të drejtorit sportiv të këtij ekipi, Igli Tares. Luan titullar me Lacion dhe sezonin e kaluar ishte ndër më të mirët. Një blerje e goditur e Tares, pasi vlera kartonit të mesfushorit është rritur ndjeshëm. Pak vite më parë Adam Marusiç zgjodhi të luante për Malin e Zi dhe jo për Serbinë, një vendim që nuk i pëlqen aspak mbrojtësit të Serbisë dhe Romës, Aleksandër Kolarov.

Në konferencën e fundit për shtyp, kapiteni i Serbisë e ka kritikuar zgjedhjen e Adam Marusiç (si dhe të mbrojtësit Stojkoviç) për të luajtur me kombëtaren e Malit të Zi. Një sulm, që sipas shtypit serb nuk është i drejtpërdrejtë. “Unë kam luajtur për Lacion dhe më pas shkova në Angli. U ktheva në Romë dhe tani luaj për Romën, sepse jam një profesionist, por nuk jam një roman. Në ekipet kombëtare nuk funksionon kështu. Si mund të luash për Malin e Zi, kur nuk ke lindur në këtë vend? Si mund të luash për Austrinë, kur nuk je austriak? Është e trishtueshme që Marusiç ka bërë këtë zgjedhje. Ndoshta e ka bërë, sepse nuk ka pasur besim të plotë në vetvete, nëse do të luante për Serbinë”, – ka thënë Kolarov, duke lënë të kuptohet se Marusiç nuk do të luante titullar, po të kishte zgjedhur Serbinë.

Kolarov dhe Marusiç në dyluftim gjatë derbit Roma-Lacio

Adam Marusiç, 26 vjeç, ka lindur në Beograd dhe luan për Malin e Zi prej 3 vitesh. Ai numëron rreth 20 ndeshje me këtë kombëtare, ndërsa Aleksandër Kolarov është një pikë kyçe në formacionin e Serbisë dhe nuk ka në plan të tërhiqet, edhe pse është 33 vjeç. Deri tani, dy lojtarët janë përballur në Serinë A dy herë sezonin e kaluar. Një ndeshje e ka fituar Kolarov me Romën dhe tjetra ka përfunduar në barazim. Më 29 shtator është takimi i radhës dhe Roma-Lacio do të jetë edhe një sfidë Serbi-Mali i Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë