Atmosfera në prag të ndeshjes Tirana-Crvena Zvezda, e vlefshme për turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve, nuk ngjan aspak me atë çfarë ka ndodhur para sfidave Shqipëri-Serbi dhe Skënderbeu-Partizan i Beogradit. Duket thjesht si një ndeshje e zakonshme radhe. Është vetë situata që nuk lejon që atmosfera të ndizet si në ndeshjet e përmendura, sepse mungon esenca, tifozët. Të martën, në një “Air Albania Stadium” me shkallët bosh, Tirana do të sfidojë gjigantët serbë, të cilët kanë një histori të madhe në Ligën e Kampionëve, duke shkuar deri në fitimin e këtij trofeu.
Gjithsesi, Tirana nuk ka asgjë për të humbur dhe fakti që presioni nuk është aq i madh si në ndeshjet e përmendura më lart mes shqiptarëve dhe serbëve, u vjen në ndihmë bardhebluve. Fitorja në Tbilisi ishte një bonus i madh për Tiranën, që ka shanse të mbushë arkën me përfitimet nga kualifikimet e mundshme, pse jo dhe të shkojë edhe në grupet e Ligës së Europës. Nëse nuk ia del ndaj Crvena Zvezdës, Tirana kalon në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës dhe me pak fat në short, mund të avancojë më tej. Është një shans që kampionët e Shqipërisë nuk mund ta lënë t’u ikë kollaj nga duart dhe që e largon më shumë presionin për ndeshjen me serbët.

Trajneri Emanuel Egbo po e përgatitet me shumë qetësi ndeshjen e së martës, larg deklaratave bombastike, por vihet re se edhe shtypi sportiv në Serbi nuk po e pompon atmosferën, edhe pse flet për një kualifikim thuajse të sigurt të skuadrës nga Beogradi. Fakti që kualifikimi vendoset me një ndeshje teke, që për më tepër luhet në Shqipëri, është po ashtu në favorin e Tiranës.
Tirana e fushës pritet të jetë po ajo që luajti ndaj Dinamos së Tbilisit, me Muçin në majë të sulmit. Bardheblutë do të bazohen te kundërsulmi dhe do të mbrohen me kujdes. Kundërshtari niset favorit dhe vjen në këtë ndeshje në top-formë, pas 5 fitoreve radhazi në kampionat, e fundit të premten në mbrëmje. Megjithatë, futbolli i njeh surprizat dhe Tirana do të luajë “kartat” e saj. Edhe përgatitja psikologjike ka rëndësi të veçantë dhe kuptohet që do luhet edhe me nervat e kundërshtarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




