Kosova

Serbët largohen nga policia, administrata dhe të gjitha institucionet e Kosovës. Kurti: Përpjekje për destabilizim, Serbia vegël e Kremlinit (video)

Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

LEXO EDHE:
– Serbët vendosin për largimin nga institucionet e Kosovës. Si u përshkallëzua situata?!
– Plani franko-gjerman/ Serbia dhe Kosova bien dakord për një dialog të ri, BE e përshëndet
– Kurti s’tërhiqet për targat, serbët kërcënojnë me largim nga qeveria dhe institucionet

Në këtë takim – me dyer të mbyllura – kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut, përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.

Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.

Kurti: Përpjekje për destabilizim, Serbia vegël e Kremlinit

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës. Kurti shkruan se kjo është një përpjekje për destabilizim, ndërsa akuzon Serbinë se po kthehet në një vegël të Kremlinit.

Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të ruajnë qetësinë, ndërsa thekson se do t’u shërbejë atyre duke respektuar kushtetutën dhe ligjin e Kosovës. Kurti shkruan se ai nuk është një kryeministër kundër shumicës serbe në Kosovë, por thotë se Beogradi është kundër tij.

“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje. Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, shkruan kryeministri Kurti në reagimin e tij.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri duke zhveshur uniformat e tyre pas dorëheqjes

Zhvillimet në Serbi

Ndërkohë Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një mbledhje të shtunën për të diskutuar, siç është thënë, rreth situatës në Kosovë.

Në këtë mbledhje ka qenë prezent edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë pas takimit se, Serbia nuk do të heqë dorë nga “politika e përgjegjshme e paqes dhe stabilitetit”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një postim në Instagram, duke shprehur mirënjohjen e tij për mundësinë që i është dhënë për të informuar Qeverinë për “situatën në të cilën është Serbia”.

Edhe pas takimit me ambasadoren kineze në Beograd, Chen Bo, Vuçiq ka përsëritur se “Serbia vazhdon të zbatojë politikën e paqes dhe stabilitetit” dhe se “vazhdon të jetë e përkushtuar në respektim të ligjit ndërkombëtar”.

Serbia llogarit në Kinën kur është fjala për statusin e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008.

As Serbia, as Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Përmes mbështetjes së Rusisë dhe Kinës, zyrtarët serbë tentojnë të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq pritet të takohet më vonë gjatë ditës edhe me ambasadorin rus në Beograd, Bocan Harchenko dhe me përfaqësuesit më të lartë të Kishës Ortodokse Serbe.

Në ditë më parë, Vuçiq është takuar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vetë Lajçak ka thënë më 5 nëntor se takimi ka qenë i gjatë dhe i vështirë, por i drejtë.

Sipas tij, palët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen.

“Llogaris në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve, për të treguar përmbajtje për siguri dhe stabilitet. Dhuna duhet të shmanget”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter…(REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë