Në Beograd u mbajt edhe një protestë e serbëve kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Folësit para protestuesve u prezantuan si studentë nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Beogradit dhe thanë se kjo ishte një “protestë demokratike”.
Protestuesit mbanin simbole nacionaliste dhe të krahut të djathtë.
Në platonë e Fakultetit të Filozofisë, organizatorët iu adresuan turmës, e cila brohoriste “tradhti” dhe “nuk do ta japim Kosovën”.
Organizatorët e protestës kërkuan që në takimin e Ohrit, më 18 mars, propozimi evropian të refuzohet publikisht, të merret vendim që të hiqet dorë nga negociatat dhe të mos zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe të nisin negociatat nën ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.
Protestuesit marshuan përmes rrugëve të qendrës së Beogradit, drejt ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.
Gjatë marshit, protestuesit u dëgjuan duke brohoritur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” dhe “Serbia për serbët”.
Protesta paraprake, që u mbajt më 7 mars, u njoftua përmes rrjetit rus, Telegram. Protesta u thirr nga organizata e paregjistruar e të djathtës ekstreme Patrulla e Popullit, që ka organizuar disa protesta për të kundërshtuar politikat e Qeverisë serbe karshi Kosovës.
Organizatat dhe lëvizjet e krahut të djathtë në Serbi kundërshtojnë propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi evropian, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Pas gjashtë muajsh negociata me Kosovën dhe Serbinë, BE-ja muajin e kaluar publikoi propozimin që parasheh të çojë palët drejtë një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.
Më 27 shkurt, gjatë takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të mëtejme për këtë dokument dhe shprehën gatishmërinë që të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




