Kosova

Protesta / Serbët në veri të Kosovës vendosin kushte për largimin e barrikadave

Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e “listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve”, dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës, janë kushte për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, tha Goran Rakiç, kryetar i Listës Serbe, në protestën në Rudarë, në veri të Kosovës.

“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë”, tha Rakiç para turmës.

Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.

Në fillim të protestës, turmës iu drejtuan djali i Dejan Pantiçit, Predrag Pantiç, ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiç, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviç dhe të tjerë nga sektori i arsimit dhe drejtësisë.

Ata thanë se duan paqe, duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë, se nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar, por janë kundër Qeverisë së Albin Kurtit. Ata i dënuan arrestimet në veri dhe dërgimin e njësive speciale të Policisë së Kosovës në atë pjesë të Kosovës.

Qëllimi i arrestimeve, sipas tyre, ishte “frikësimi” i popullit serb.

Kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiç, nga radhët e Listës Serbe, tha se “në këtë luftë, serbët janë të bashkuar”.

Ai tha se qëllimi i Kurtit është që të mos ketë serbë në jug dhe në veri të Ibrit, ose të ketë “vetëm nga ata që duan t’i përulen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë