Kosova

Serbët në veri të Ibrit të premten në protestë, Vuçiç: Ata do të votojnë në Serbi

Serbët e Kosovës do të votojnë në vendvotimet e ngritura në komunat në Serbinë qendrore për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç në një konferencë për shtyp.

“Ne pranuam kompromise të panumërta, gjëra të panumërta të pakuptimta, për të cilat ata këmbëngulën. Por, ata këmbëngulën dhe kërkuan vetëm një gjë, ajo ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiç.

Ai tha se sot për herë të parë nuk ka pasur “aktivitete të dakorduara dhe të koordinuara” me serbët e Kosovës dhe se është befasuar nga “propozimet radikale” të tyre.

Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiç, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.

Vuçiç theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kreu i Shtërpcës, Dalibor Jevtiç

“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.

Vuçiç i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.

Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha gjatë konferencës të përbashkët me Vuçiç, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është mohim i të drejtave të njeriut.

Ai tha se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ndërkohë, Vuçiç tha se është takuar edhe me ambasadorët e vendeve të Quint-it në Beograd, si dhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë.

Po ashtu, është mbajtur edhe një seancë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimit para një komisioni parlamentar, tha se ka pasaktësi në konstatimin se Kosova ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë do të ishte jokushtetuese.

“Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese. Por, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, si instancë sovrane, pas një kërkese nga institucionet e Serbisë, është jokushtetuese”, tha Bislimi.

Ai po ashtu tha se edhe për praktikat e mëhershme për zgjedhjet serbe në Kosovë, ka “pajtim, konsensus të përgjithshëm edhe brenda Quint-it” se ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë