Nacionalizimi ekstrem serb, që kulmoi në vitet ’90 në Ballkan shihet ende si burim frymëzimi për akte terroriste edhe në anët më të largëta të globit. Media ndërkombëtare raportojnë se terroristi që ekzekutoi 49 persona në dy xhami në qytetin Christchurch në Zelandën e Re ishte një admirues i Radovan Karaxhiç, njeriu që ekzekutoi mijëra myslimanë gjatë luftës së Bosnjes.
Autori i dyshuar mendohet se përdorte në rrjetet sociale emrin Brenton Tarrant. Nga një vëzhgim në profilin e tij në Facebook vërehen postimet e shpeshta nacionaliste të simboleve serbe dhe në një sërë prej tyre ai kritikon Shtetet e Bashkuara për ndërhyrjen e tyre në Kosovë.

I gjithë sulmi është realizuar i transmetuar drejtpërdrejtë në Facebook në një video që zgjat rreth 17 minuta. Pamjet nisin me autorin të armatosur deri në dhëmbë teksa hyn në xhami dhe nis e hap zjarr ndaj besimtarëve myslimanë që po falnin ditën e premte.
Në një tjetër video të postuar po në këtë profill dëgjohet në sfond muzikë nacionaliste serbe. Kënga i kushtohej Radovan Karaxhiç, i cili po gjykohet në Hagë për genocid dhe krime lufte. Vendimi përfundimtar ndaj tij pritet që të jepet javën e ardhshme.
Se cila është lidhja mes agresorit dhe serbëve mbetet për t’u saktësuar nga hetimet në vazhdim nga autoritetet neozelandeze. Deri më tani hetimet kanë zbardhur se në armën e përdorur dhe karikatorët e saj ishin shkruar emra figurash historike e aktualë, të njohur për qëndrimet anti-emigracion dhe kundër myslimanëve.
Po në rrjetet sociale, autori i dyshuar ka publikuar një manifest prej 73 faqesh. Në të sinjalizohet sulmi terrorist në dy objektet e kultit me synimin për të “mbjellë frikë”, si dhe bëhet thirrje për të vrarë të gjithë myslimanët.
Në tekst gjenden edhe një paragraf për Kosovën. Aty kërkohet që të “ballkanizohen” Shtetet e Bashkuara për të reduktuar fuqinë e saj për të ndërhyrë në konflikte si ai i Kosovës. “Ku forcat e SHBA dhe NATO-s luftuan në krah të myslimanëve për të masakruar të krishterët europianë, që po përpiqeshin që të çlironin territoret europiane të pushtuar nga islamikët”, thuhet aty.
Përveç gjuhës së urrejtjes ndaj myslimanëve, në manifest ka gjuhë urrejtjeje edhe ndaj personave me ngjyrë.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern doli menjëherë në një konferencë për shtyp ku tha se kjo ditë “është dhe do të mbetet një prej ditëve më të zeza në historinë e vendit të saj”.
Për orë me radhë në një perimetër të gjerë në qytetin Christchurch u vendos gjendja e alarmit. Njerëzve u kërkua që të mos dilnin nga banesat, shkollat u mbyllën ndërsa policia arrestoi të dyshuarin, por pa bërë publik identitetin e tij. Fillimisht dyshohej edhe për objektivë të tjerë në sulm, por Kryeministrja Ardern sqaroi se objektivi ishin vetëm dy xhamitë.
Sulmi u dënua edhe nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu shpreh ngushëllime për familjarët e viktimave dhe e cilëson aktin një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore, e një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




