Ekonomi

Serbët e veriut nuk lejojnë regjistrimin e “Trepçës” si shoqëri aksionare

Qeveria e Kosovës e kishte me ngut regjistrimin e “Trepçës” si shoqëri aksionere deri në fund të shkurtit, por ajo që po ndodh tingëllon krejt e kundërta.

Serbët e veriut po pengojnë procesin duke deklaruar se “Trepça” nuk do të regjistrohet si shoqëri aksionere.

Institucionet e shtetit të Kosovës dhe në veçanti për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerare “Trepça” është një dhe e pandarë, serbët e pjesës veriore të Kosovës dhe ata në Serbi pretendojnë të kundërtën.

Ndërmarrja nuk ka mundur të regjistrohet, edhe pse janë plotësuar të gjitha kushtet për regjistrimin e “Trepçës” si shoqëri aksionare. Punëtorët e “Trepçës” në veri nuk kanë pranuar të aplikojnë, për shkak se si një dhe e vetme punëtorëve të “Trepçës” u takojnë 20 për qind të aksioneve, duke përfshirë edhe punëtorët e “Trepçës” në veri, ndërsa 80 për qind Qeverisë së Kosovës.

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Trepçës” në veri ka dalë me një komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se nuk do të zbatojnë asnjë nga ligjet dhe as vendimet e “Trepçës” në jug e as kërkesën e tyre për të aplikuar për regjistrimin e ndërmarrjes si shoqëri aksionare.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës” në veri, Dushko Dragoviq, është shprehur në njoftimin për shtyp se Sindikata është e detyruar dhe përgjegjëse për t’i mbrojtur interesat e 2400 punëtorëve, familjet e tyre dhe të gjithë ata që jetojnë nga prodhimi në “Trepçë”. “Vetëm në komunat veriore mbi 30 për qind e popullatës jeton nga ‘Trepça’. Ua tërheqim vërejtjen të gjithë atyre që mendojnë se mund të na pengojnë të punojmë dhe të jetojmë, se jemi të gatshëm të luftojmë dhe të qëndrojmë në përpjekjet për ta ruajtur ‘Trepçën’ në veri, e cila punon dhe e cila paraqet një shtyllë ekonomike për popullin serb në këto hapësira. Sindikata e fton edhe bashkësinë ndërkombëtare t’i mbrojë të drejtat tona dhe të mos e kthejë kokën nga pasojat e mundshme katastrofale që mund të ndodhin pas realizimit të vendimit të Prishtinës”, ka thënë Dragoviq në njoftimin për medie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë