Kosova

Serbët e Kosovës të zhgënjyer do të protestojnë kundër Vuçiç

Më 9 janar serbët e Mitrovicës së Veriut do të dalin sërish në protestë, por jo për të ngritur “barrikada”, por për të kontestuar veprimet e vendimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Duket e pabesueshme, por një pjesë e serbëve do të mblidhen para monumentit të Car Llazarit në ditën e tretë të Krishtlindjeve Ortodokse.

Organizatori i saj, Ivan Miletiç, i tha gazetës “Danas” se serbët nga Kosova janë “peng”. Ai thotë se qytetarët e panë me heqjen e barrikadave se në cilin drejtim po shkon situata dhe se janë pajtuar që nuk do të pranojnë “as lojërat e Kurtit e as të Vuçiçit”.

“Paraprakisht kemi tentuar të organizojmë disa protesta për të mirën e qytetarëve, por ka rezultuar e pasuksesshme sepse njerëzit janë ftuar në momentin e fundit që të mos vijnë sepse protestat nuk kanë pasur mbështetjen e pushtetit. Por ne shpresojmë që populli të çlirohet pas kësaj situate të fundit në të cilën të gjithë ne kemi qenë të manipuluar, thotë Miletiç.

Bashkëbiseduesi i Danar.rs thotë se qytetarët edhe pse paraprakisht dyshonin në “qëllimet e sinqerta të Vuçiçit dhe të një pjese të Listës Serbe”, për herë të parë besuan se do të kishte “rezistencë të përbashkët” dhe se “Vuçiçi nuk do t’i shiste te Kurti”.

Ai thekson se nuk u janë bashkuar organizatat formale dhe se nuk e dinë se sa njerëz do të vijnë duke pasur parasysh, siç thotë ai, frikën që ekziston tek qytetarët. Nebojsha Joviq, komisioneri i së ashtuquajturës Lëvizje për Mbrojtjen e Kosovës, ftoi qytetarët në të njëjtën protestë në kanalin YouTube srbin.info.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë