Kosova

Serbët bllokojnë pikën e kalimit në Merdare, Policia: E kundërligjshme

Serbët në veri të Kosovës kanë vendosur një bllokadë të re e cila pengon qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve në pikën kufitare të Merdares.

Sipas mediave në Kosovë, të paktën 20 serbë me flamuj në duar kanë ngritur pengesën në anën serbe të kufirit në zonën e Kurshumlisë, duke vendosur dy kamionë.

Lëvizjet nga të dy anët e kufirit janë bllokuar dhe këtë e konfirmon dhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e cila njofton se në këtë pikë nuk ka hyrje dhe  as dalje.

Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar dhe Ministria e Punëve të Jashtme e cila iu bën thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar drejt Kosovës përmes Serbisë, që të mos udhëtojnë drejt pikës kufitare në Merdare, por të shfrytëzojnë të tjera.

“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, shkruhet në njoftim.

Ndërsa Policia e Kosovës tha se bllokimi i rrugës në territorin e Serbisë, që çon drejt pikës kufitare të Merdares, “është i kundërligjshëm”.

“Një bllokim i tillë i kundërligjshëm ka pamundësuar lëvizjen dhe qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, andaj ftojmë qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare për qarkullim, duke përjashtuar pikat kufitare Jarinjë”, Bërnjak dhe “Merdare, deri në njoftimin e radhës”, u tha në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë