Një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.
Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.
Situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR. Dhjetëra të plagosur janë raportuar në të dyja anët.
“Zoti President Biden, ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të sinqertë lidhur me situatën e rënduar në veri të Kosovës, ku dhuna e fundit serbe kundër Forcës së Kosovës të NATO-s (KFOR) në veri të Kosovës ka lënduar afërsisht 40 ushtarë paqeruajtës të NATO-s.
Pas këtyre sulmeve, jemi të shqetësuar për vendimet e marrë nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që vazhdojnë të eskalojnë tensionet në vend të zvogëlimit të tyre. Jemi veçanarisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e vazhdueshme të afërsisht 600 ushtarëve amerikanë që shërbejnë brenda KFOR-it. Vlerësojmë përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për të zvogëluar krizën, por këto përpjekje nuk kanë reciproke qenë nga Kosova në veçanti. Si pasojë, jemi të gatshëm të marrim në konsideratë ndryshimin e mbështetjes së Kongresit”, thuhet në letër.
Letra e tetë senatorëve i bën thirrje presidentit amerikan që “të ushtrojë presion diplomatik, për t’i dhënë fund krizës aktuale”.
Letra përmend edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në muajin mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.
“Ju inkurajojmë të aplikoni presion diplomatik për të përfunduar këtë krizë aktuale dhe për të rifilluar progresin në Marrëveshjen e Ohrit. Ne e mbështesim propozimin e Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, i cili përfshin: tërheqjen e kryetarëve nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës; pezullimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale, shoqëruar nga përfundimi i protestave; shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me angazhimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës; dhe rikthimin në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, thuhet më tej në këtë letër.
Tetë senatorët janë shprehur të lumtur që SHBA ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndërtuar marrëdhëniet më të mira me Serbinë dhe kontributin për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




