Teknologji dhe Inovacion

Senati Amerikan voton të bllokojë TikTok-un

Senati i SHBA-ve, pas miratimit të paketës së ndihmës për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, ka miratuar gjithashtu edhe projektligjin historik të diskutueshëm që mund të ndalojë TikTok-un në vend.

Projektligji parashikon t’i japë pronarit kinez të platformës se videove, ByteDance, nëntë muaj afat për të shitur aksionet e tij ose aplikacioni do të bllokohet në SHBA.

Projektligji do t’i dorëzohet presidentit amerikan Joe Biden, i cili ka deklaruar se do ta nënshkruajë sapo të arrijë në tryezën e tij.

Në një prononcim për BBC-në, ByteDance ka thënë se akoma nuk ka një përgjigje për këtë veprim. Pak kohë më parë firma është shprehur se do të kundërshtonte çdo përpjekje për ta detyruar atë të shesë TikTok-un.

Nëse SHBA-ja do jetë e suksesshme të detyrojë ByteDance për të shitur TikTok-un, kjo marrëveshje do të ketë ende nevojë për miratim nga zyrtarët kinezë.

Por Pekini është zotuar të kundërshtojë çdo lloj lëvizjeje të tillë.

Masa u miratua si pjesë e një pakete prej katër projektligjesh që përfshinin gjithashtu ndihmën ushtarake për Ukrainën, Izraelin, Tajvanin dhe partnerët e tjerë të SHBA-ve në rajonin Indo-Paqësor.

Ajo pati mbështetje të gjerë nga ligjvënësit, me 79 senatorë që votuan pro dhe 18 kundër.

Frika se të dhënat e miliona amerikanëve mund të bien në duart e Kinës kanë rritur përpjekjet e Kongresit për të ndarë TikTok-un nga kompania me bazë në Pekin.

Javën e kaluar, kompania e mediave sociale u shpreh se projektligji do të “shkelë të drejtat e fjalës së lirë të 170 milionë amerikanëve, do të shkatërrojë shtatë milionë biznese dhe do të mbyllë një platformë që kontribuon me 24 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, çdo vit”.

TikTok ka bërë me dije se kompania mëmë ByteDance nuk është “një agjent i Kinës apo i ndonjë vendi tjetër”.

Dhe ByteDance këmbëngul se nuk është një firmë kineze, duke treguar për firmat globale të investimeve që zotërojnë rreth 60% të saj.

Shefi ekzekutiv i saj, Shou Zi Chew, ka thënë muajin e kaluar se kompania do të vazhdojë të bëjë gjithçka që mundet duke përfshirë ushtrimin e “të drejtave të saj ligjore” për të mbrojtur platformën.

Është hera e qytë brenda vitit që Shou po akuzohet nga Kongresi amerikan për lidhjet e tij personale me autoritetet kineze.

Platforma e mediave sociale bëri përpjekje për të mbledhur mbështetje kundër ndalimit të mundshëm, duke përfshirë një fushatë të madhe lobimi.

Gjithashtu inkurajoi përdoruesit dhe krijuesit e TikTok të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj projektligjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë