Shendet

Sëmundja “duar-këmbë-gojë”, mjekët të shqetësuar për rritjen e rasteve

Rritja e rasteve te fëmijët me sëmundjen “duar-këmbë-gojë” alarmon mjekët. Pediatrët dhe infeksionistët pohojnë se ditët e fundit është shtuar përhapja e kësaj sëmundjeje që prek kryesisht fëmijët, por edhe të rriturit që nuk e kanë kaluar në vegjëli; sëmundje që shfaqet me temperaturë, me puçrra të qelbëzuara në këmbë, duar dhe gojë.
Shqetësimin fillimisht e ngriti mjeku infeksionist Tritan Kalo, i cili para pak ditën në profilin e tij në FB, shkruante se kjo sëmundje mund të kalojë edhe tek të rriturit. Ndërkohë i pyetur nga Gazeta “Si”, Kalos tha se shkaktari më i shpeshtë i kësaj sëmundjeje është virusi Coxsackivirus A 16 dhe më i rralli Enterovirus 71. Mjeku infeksionist shpjegon se sëmundja përhapet nga kontaktet direkte me personin e sëmurë, meqenëse virusi gjendet në çarjet e vogla të lëkurës, të gojës si dhe eliminohet nëpërmjet feçeve dhe me kalimin e kohës.
Llidhur me këtë çështje, mjekët në qendrat shëndetësore në kryeqytet thonë se ka rreth dy javë që është rikthyer kjo sëmundje në vend e cila shihet si një virozë sezonale. Ata shpjeguan për Gazetasi.al se ka ndodhur që të kenë pasur edhe më shumë se 10-15 raste në javë, fëmijë të cilët kërkuar ndihmë mjekësore.
Mjeku pediatër Gëzim Shehu shton se këta 3 muaj ka pasur më shumë raste se disa vite më parë. “Nuk është sëmundje e panjohur tek ne mbasi herepashere kemi pasur, por fatmirësisht pa probleme të rënda,” shtoi Shehu.

Mjeku Kalo ka shpjeguar për Gazetasi.al se në periudha afatmesme kjo sëmundje shkakton dëmtimin e rëndë të thonjve të cilët rigjenerohen përsëri më vonë. Ai ka shtuar se edhe uji i infektuar me këto viruse është përhapës i infeksionit
“Personat e infektuar janë përhapës të tij në javën e parë të shfaqjes së sëmundjes. Transmetohet vetëm midis njerëzve dhe kalimit të sëmundjes virusi mundet të jetë i pranishëm në rrugët e sipërme të frymëmarrjes edhe për tre javë, si edhe në tubin tretës për dy deri në tetë javë,” shprehet Kalo.

Gazetasi.al pyeti edhe në Institutin e Shëndetit Publik për një numër të përgjithshëm të pacientëve që kërkojnë shërbim spitalor për këtë sëmundje por nuk mori një përgjigje!


Kalo shton se periudha pa shenja/e inkubacionit varion nga një deri në tre ditë pas kontaktit me një person të sëmurë. Sipas tij shenjat e sëmundjes janë temperaturë (37.5-39 gradë celcius), ulje e oreksit dhe ndjesi lodhjeje, të cilat 2-3 ditë më pas vijohen nga shenjat karakteristike të sëmundjes: njolla të kuqe në lëkurë 2-3-5 mm, që më pas evoluojnë shpesh në fshikëza të vogla në duar, këmbë dhe gojë.
Sipas mjekut infeksionist, “fshikëzat e gojës shoqërohen shpesh me dhimbje fyti e vështirësi në gëlltitje, çka i rrezikojnë pacientët nga dehidrimi. Sëmundja përgjithësisht zgjat nga 7-10 ditë. Nuk ka asnjë mjekim specifik ose vaksinë për parandalimin e saj. Kujdes i kushtohet dhënies së paracetamolit dhe antipiretikëve të tjerë, rehidrimit si dhe ushqimit sa më të lëngshëm, sidomos kur i sëmuri ka lezione në gojë”.

Parandalimi
Sipas Klinikës Mayo në SHBA disa masa paraprake mund të ndihmojnë në zvogëlimin e rrezikut të infektimit me sëmundjen e dorës-këmbës dhe gojës janë:

– Lani duart me kujdes veçanërisht pas përdorimit të tualetit ose para përgatitjes së ushqimit dhe konsumimit. Kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm, përdorni peceta duarsh ose xhel të trajtuar me alkool që vret mikrobet.

– Dezinfektoni zonat e përbashkëta. Bëjeni zakon të pastroni zonat dhe sipërfaqet që preken nga shumë njerëz, fillimisht me ujë dhe sapun, pastaj me klor të holluar në ujë. Qendrat e kujdesit për fëmijët duhet të ndjekin një orar të rreptë pastrimi dhe dezinfektimi të të gjitha ambienteve të përbashkëta, duke përfshirë sendet e përbashkëta si lodrat, pasi virusi mund të jetojë në këto objekte për ditë të tëra. Pastroni shpesh biberonin e bebes tuaj.

– Izoloni njerëzit e infektuar. Për shkak se sëmundja e dorës-këmbës dhe gojës është shumë ngjitëse, njerëzit me këtë sëmundje duhet të kufizojnë ekspozimin e tyre ndaj të tjerëve ndërsa ata kanë shenja dhe simptoma aktive. Mbajini fëmijët me sëmundje dorë-këmbë dhe gojë në shtëpi derisa të jenë shëruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë