Ka ndodhur

Selanik, shqiptari qëllon me armë brenda pallatit dhe në shtëpinë e tij, në prani të tre fëmijëve të mitur

Një shqiptar në Selanik ka qëlluar me armë zjarri brenda pallatit në të cilin jetonte. Mediat greke shkruajnë se në moment që ka shtënë, është dëgjuar të thotë me zë të lartë “thërrisni policinë, po më dhunojnë gruan”.

Gjithçka nisi kur në rrugën Mystras, në Finikas, burri qëlloi gjashtë herë në ajër jashtë pallatit ku jeton, më pas rrëzoi derën hyrëse, hyri në pallat dhe u ngjit në katin e katërt, pasi fillimisht qëlloi në një derë apartamenti në katin e dytë. Ai është futur në banesë ku ndodheshin tre fëmijët e tij të mitur dhe ka nisur të qëllojë sërish.

Në këtë kohë, bashkëshortja e tij nuk ndodhej në banesë, pasi ishte në maternitet për të lindur fëmijën e tyre të katërt. Pas këtyre veprimeve, ai është larguar me mjetin e tij, por gjatë rrugës është aksidentuar, ndërsa më pas është arrestuar nga policia.

Nga informacionet paraprake, mësohet se shqiptari është rreth moshës 32 vjeç, por nuk dihen të dhëna për identitetin e tij. Pas arrestimit, policia ka ushtruar dhe kontroll në banesën e tij ku ka gjetur 23 kg marijuanë, 1.2 kg kokainë dhe 16 mijë euro.

Po ashtu në pranga ka rënë edhe vëllai i tij 29-vjeçar. Dy të arrestuarit do të dalin sot para prokurorisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë