Gazeta Si – Një sipërfaqe toke prej 6000 m² e regjistruar me dokumente false, është sekuestruar në zonën e Livadhit, Himarë në Qarkun Vlorë, ku vlera e pasurisë kap shifrën prej 1.800.000 euro (1.8 milionë).
Pasuria ishte përvetësuar në emër të shtetasit K.Gj., për të cilin u kërkua masë e sigurisë “Arrest në burg” dhe sipas organit të akuzës, ky shtetas ka falsifikuar dokumentët e pronësisë.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë në datë 7 shtator 2021, ka regjistruar proçedimin penal me nr.1300, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimi rezultoi se pasuria e regjistruar pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë (ASHK), në nenin hipotekor 235, datë 1 shtator 2020, ZK.1952, Himarë, është regjistruar me dokumente të falsifikuara në emër të shtetasit K. Gj.
Gjatë hetimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit, mbi bazën e akteve të administruara si dhe aktit të ekspertimit tekniko-grafik të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, ka rezultuar e provuar se dokumentacioni i kësaj praktike që bën fjalë për pasuri të regjistruar në zonën e Livadhit Himarë, ka rezultuar i falsifikuar.
Nga aktet hetimore, provohet se i dyshuari shtetasi K. Gj., banues në Himarë, ka falsifikuar dokumentet e pronësisë, AMTP-në, formularin nr.6, si dhe gjithë praktikën e dalë nga Këshilli i Qarkut Vlorë, DAMT-ja.
Shtetasi K. Gj., dokumentet e falsifikuara i ka paraqitur fillimisht pranë Bashkisë Himarë, Drejtorisë të Manaxhimit të Tokave Pyjeve dhe Kullotave ku ka kërkuar regjistrimin e ngastrës te quajtur “Apelistra”, me sipërfaqe 6000m2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




