Gazeta Si - SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e tre pasurive të biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili aktualisht ndodhet në burg, pasi u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Metamorfoza” në muajin korrik në Shkodër.
Një dosje hetimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare, bëri që Gjoka, pronar hotelesh në Shkodër e në Tiranë, të arrestohej si figurë kyçe e një grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh si dhe për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë.
Në njoftimin e SPAK, thuhet se janë sekuestruar 3 pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390.000 m2, të cilat janë përfituar me dokumente te falsifikuar nga biznesmeni Gjoka.
“Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi P. Gj., në bashkëpunim me persona të tjerë”, - thuhet në njoftimin e SPAK.
– Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregtare;
– Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare;
– Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.
Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve nga Gjoka në bashkëpunim me persona të tjerë.
Gjoka akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Anëtarët e grupit, ku është i përfshirë dhe Gjoka, akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikës, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ndërsa zyrtarët e arrestuar, mes tyre oficeri i policisë Oltian Bistri, akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.