Drejtësia

Sekuestrohet anija me qymyr ku u zbuluan 59 kg kokainë në Portin e Durrësit

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme vendosi në sekuestro anijen ku në 17 Maj u gjetën 59 kilogramë kokainë e fshehur në qymyr në portin e Durrësit.

Vendimi erdhi pas kërkesës së SPAK, e cila e kishte bllokuar për shkak të hetimeve që u kryen.

Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë person të dyshuar apo të arrestuar në lidhje me trafikun e drogës.

Autoritetet kishin vendosur që deri në fund të hetimeve, marinarët dhe kapiteni rus të mos zbresin në tokë, duke u izoluar në anije.

Mjeti lundrues është zhvendosur në Kalatën Nr.1, ku do të qëndrojë e bllokuar dhe nën ruajtje policore.

Anija “Unistream” me flamur të Antigua Barbuda, transportonte 6.500 tonë qymyr dhe mbërriti në Portin e Durrësit më 16 maj.

Kanë qenë partnerët ndërkombëtarë ata që kanë sinjalizuar policinë shqiptare për sasinë e drogës.

Kur u ankorua në Durrës, anija u kontrollua me qen anti-drogë, por që nuk zbuluan asgjë, pasi era e qymyrit siç duket e mbulonte atë të kokainës.

Më pas ka nisur shkarkimi i kontrolluar i qymyrit që zbuloi çantat me lëndë narkotike. Droga ishte e ndarë në 53 pako, në dy çanta, me në total prej 59 kilogramë.

Anija është nisur nga porti i Barranquillas në Kolumbi në 26 prill dhe ka mbërritur në Portin e Durrësit në 16 maj.

Nuk dihet nëse sasia e drogës kishte si destinacion final Shqipërinë apo porti i Durrësit ishte përdorur si tranzit nga trafikantët.

Një ditë pas zbulimit, anija iu nënshtrua një kontrolli me polumbarë në pjesën e poshtme të saj, pasi dyshohej se sasia e lëndës narkotike mund të ishte më e madhe.

Pas qindra kilogramëve të kapur në kamionët e ngarkuar me banane nga Ekuadori më parë, trafikantët duket kanë gjetur një mënyrë tjetër për të transportuar drogë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë