Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona në kuadër të operacionit të koduar “Telekomanda”.
Policia thotë se janë sekuestruar 1 mitraloz, 1 kallashnikov, municion luftarak, 2 automjete, aparate celularë dhe një sasi lëndë narkotike.
Personat e arrestuar janë shtetasit me inicialet A. P., 47 vjeç, banues në Kuçovë, i dënuar më parë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Magjat të Kuçovës, i dënuar më parë për falsifikim.
Arrestimi i tyre u bë pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat u dokumentua aktiviteti i tyre kriminal i trafikimit të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak jashtë vendit, me qëllim përfitimin e vlerave monetare.
Në cilësinë e provës materiale shërbimet e Policisë sekuestruan 2 armë zjarri (mitraloz dhe kallashnikov), 822 fishekë, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 2 mjete në pronësi të shtetasve B. H. dhe A. P., si dhe 3 aparate celular, të cilët këta shtetas i kishin në përdorim.
Ndërkohë vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municioneve” dhe “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




