Ka ndodhur

Sekuestrohen mbi 250 mijë euro në Durrës, në pranga një person

Mbi 250 mijë euro janë sekuestruar në Portin e Durrësit.

Policia njoftoi se ka vënë në pranga Muhamed Hoxhën, 58 vjeç, shoferi i një furgoni ku kishte fshehur paratë. Po ashtu, policia tha se ka sekuestruar edhe medikamente që po futeshin në vendin tonë pa i deklaruar ato.

“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4″, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Muhamed Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i cili vinte nga Italia dhe kishte fshehur automjetin e tij, 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi”, njoftoi policia.

Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë