Gazeta Si – Tre persona, dy prej tyre vëllezër, janë arrestuar në Lezhë pas operacionit të koduar “Processing”, ndërsa janë sekuestruar 40 kg kanabis pranë një banese në Mirditë. Sipas policisë, në pranga u vunë Akil Reçi dhe Martin e Erjon Zefi
Droga u gjet afër një banese në fshatin Shëngjergj, ndërsa u sekuestruan edhe 4 automjete dhe 5 celularë, që dyshohet se përdoreshin nga autorët.
Arrestimet dhe sekuestrimi i drogës vijnë në vijim të operacionit të koduar “Processing”, në kuadër të të cilit ka pasur arrestime edhe më parë.
Më 8 tetor, policia vuri në pranga në kuadër të “Processing” Preng Markun dhe Kristian Pimën, të dy 31-vjeç, ndërsa sekuestroi rreth 33.7 kg kanabis, e cila u gjet në një ambient të përshtatur për tharjen dhe përgatitjen e bimëve narkotike. U asgjesuan gjithashtu 220 bimë kanabisi të kultivuara në dy parcela.
“Nga hetimet janë identifikuar shtetasit M. Z. dhe E. Z. (vëllezër) dhe A. R., të cilët dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike dhe kanë prodhuar lëndë narkotike, me qëllim shitjen, në bashkëpunim me shtetasit P. M. dhe K. P., të arrestuar 1 javë më parë, në kuadër të fazës së parë të operacionit të koduar “Processing”, gjatë së cilës u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe u asgjësuan 220 bimë narkotike të kultivuara në fshatin Shtuf, Mirditë. Gjatë fazës së dytë, shërbimet e Policisë kanë gjetur afër një banese të vjetër në fshatin Shëngjergj, Mirditë, dhe kanë sekuestruar rreth 40 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, 4 automjete dhe 5 celulare që dyshohet se përdoreshin nga autorët për veprimtarinë kriminale”, – njoftoi policia.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Operacioni vijon për kapjen e të tjerëve të përfshirë në këtë rrjet.
.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



