Ka ndodhur

Sekuestrohen 300 kg kokainë në Portin e Durrësit me destinacion Italinë

Një sasi prej 300 kg kokainë është sekuestruar të premten nga policia kufitare në Portin e Durrësit. Policia thotë se ka rënë në pranga drejtuesi i mjetit me të cilin po transportohej lënda narkotike, një 40-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, Nazif Ajroski.

Droga po transportohej me një kamion që udhëtonte nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Italisë dhe ishte fshehur në trupin e kamionit, ndërsa policia arrestoi një 40-vjeçar me iniciale N.A., banues në Maqedoninë e Veriut.

Në dëshminë e tij paraprapke dhënë policisë, shoferi i kamionit ka mohuar lidhjen e tij me lëndën narkotike.  "Nuk kam dijeni për kokainën, unë transportoj materiale ndërtimi", - ka thënë ai. Kamioni me targa maqedonase ndodhej në Shqipëri prej 2 ditësh në pritje për të kaluar fazën e kontrollit.

Autoritetet shqiptare theksojnë se në bazë të dyshimeve të krijuara, vendosën që kamionin ta fusnin për kontroll të detajuar në vijën e dytë, ku u zbulua droga.

Kokaina është gjetur e e ambalazhuar në disa pako dhe me logo të njohura të parfumeve botërore, por edhe të ekipeve të futbollit dhe basketbollit. të markave ndryshme, të tilla si “Dior”, “Chicago Bulls”, “PSG” etj.

Akoma nuk dihet se nga cili vend është nisur droga, ndërsa ka dyshime se në këtë operacion mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë.

Burime policore shprehen se pala shqiptare në bashkëpunim me DEA-n amerikane, kanë pasur kohë në ndjekje të sasive të tilla të kokainës.

Në portin e Durrësit, gjatë viteve të fundit janë kapur sasi të konsiderueshme droge, kryesisht të fshehura në kamionë ose në kontenierë bananesh. Bëhet fjalë për një nga sasitë më të mëdha të lëndës narkotike të sekuestruara ndonjëherë në Shqipëri.

Në shkurt të vitit 2018, në Maminas u sekuestruan në një kamion të fshehura mes baneneve 613 kg kokainë. Për këtë u dënua administratori i kompanisë Arbër Çekaj me 14 vite burg. Po në Portin e Durrësit, në prill të këtij viti, u kap një sasi prej 143 kg kokainë.

Policia raportoi se lënda narkotike ishte ngarkuar në një anije në portin e Guajakilit në Ekuador dhe para se të mbërrinte në Shqipëri kishte bërë ndalesa të ndryshme në disa vende.

Policia arrestoi dy administratorët e kompanisë së bananeve “Masabi Fruits”, të cilët mohuan të kishin lidhje me drogën. Po në ditët e para të muajit prill, policia shqiptare, sekuestroi në Portin e Durrësit, një sasi prej 49 kg kokainë të fshehura mes bananeve.

Në pranga, si administrator i firmës, u vu Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt, i dënuar me 14 vjet burg për 613 kilogramë që u kapën në shkurt të vitit 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë