Drejtësia

Sekuestrohen 2.5 milionë euro pasuri të Nikolin Gjolenës, i dënuar me 12 vite burg për trafik droge

Gazeta Si - Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Fierit ka vendosur të sekuestrojë disa pasuri të shtetasit Nikolin Gjolena, 36 vjeç, i dënuar nga GJKKO, për “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në një njoftim thuhet se janë sekuestruar 19 pasuri të paluajtshme, në Tiranë dhe Durrës. Hetimet kanë dokumentuar se ky person i kishte tjetërsuar këto pasuri me vlerë totale rreth 2.5 milionë euro, në favor të të afërmve.

Konkretisht, u sekuestruan 10 apartamente në Durrës, 5 apartamente në Tiranë, 1 njësi tregtare në Durrës, 2 garazhe në Tiranë dhe 1 ndërtesë në Tiranë.

Aktualisht po vijojnë hetimet për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera, që ky shtetas dhe shtetasit e lidhur me të, mund të kenë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Por kush është Nikolin Gjolena dhe roli i tij në laboratorin e kokainës në Fier? SPAK, në dosjen e tij e ka cilësuar Gjolenën si financuesi i organizatës së narkotrafikut, i cili po i jepte jetë laboratorit të kokainës në Frakull të Fierit.

Në operacionin policor të kryer në vitin 2022, Nikolin Gjolena konsiderohej edhe si financues i blerjes së lëndës narkotike, madje ai komunikonte edhe me një oficer policie, duke i dërguar kontaktin.

Komunikimet kryheshin me anë të kodeve dhe sipas SPAK, Gjolena komunikonte me efektivin dhe ky më tej me ish-kryetarin e Komunës së Frakullës, Viktor Çervanaku.

Operacioni për goditjen e grupit u ndërmor nga SPAK, autoritetet malazeze dhe DEA amerikane. Për këtë, 11 persona të akuzuar për “grup të strukturuar kriminal” përfunduan në pranga.

Gjolena mori 11 vite burgim nga procesi në GJKKO në 25 qershor 2024. Në total për 11 anëtarët e organizatës u shqiptuan 89 vite burgim nga Gjykata e Posaçme. Me 10 vite u dënua edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë