Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar në zonën e Bathores në Kamëz, pasi u janë gjetur 12 kg lëndë narkotike, armë dhe lëndë shpërthyese.
Policia thotë se në pranga kanë rënë, Agron Tafaj, 53 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Laç dhe Tajson Tafa, 27 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, dy të arrestuarit, të cilët ishin me precedentë penalë të mëparshëm, u kapën në flagrancë në zonën e Bathores, duke transportuar 4 kilogramë kanabis me qëllim shitjen në doza.
Pas arrestimit, shërbimet e policisë kryen kontrolle në banesat e të dyshuarve. Në banesën e 53-vjeçarit në Gjormë u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim me llamba.
Atje u gjetën 48 bimë dhe 120 fidanë cannabis sativa, 7 kg kanabis, si dhe arsenal municionesh: 4 kallëp tritol, 2 granata, 2 ndezësa, 7 fitila detonator dhe 3 kuti me ndezës minash luftarake.
Në banesën e 27-vjeçarit në Tiranë, policia sekuestroi 1 kg kanabis, një peshore elektronike, një shufër metalike dhe një armë të ftohtë (thikë).
Në total, nga operacioni “Kombinimi” u sekuestruan 12 kg lëndë narkotike kanabis, 168 bimë e fidanë narkotikë, municione luftarake, armë të ftohta dhe pajisje për shpërndarje droge.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



