Ka ndodhur

Sekuestro e pasurive 5 mln euro, Policia: Paratë e krimit i dhanë me fajde

Policia e Tiranës ka dhënë informacion mbi sekuestron e 5 milionë eurove për dy vëllezër binjakë nga Mirdita.

Policia thotë se vëllezërit i përfituan pasuritë nga aktiviteti kriminal dhe dhënia me fajde.

Sipas policisë, vëllezërit Sokol Marku dhe Elson Marku kanë precedent kriminal në Shqipëri, por merreshin edhe me trafik ndërkombëtar droge drejt Italisë.

“Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Vëllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të prokurorit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve: S. M. dhe E. M. (vëllezër), me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro, disa prej tyre të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.

Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë