Treg

Sektori i hotelerisë më i prekuri nga pandemia, rrit portofolin e kredisë së bizneseve

Kredia për biznese është rritur në terma vjetorë me rreth 7% në tremujorin e tretë, normë kjo pranë mesatares së gjashtëmujorit të parë të vitit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në këtë periudhë të vrojtuar, kredia për bizneset ka ardhur nga zgjerimi i portofolit në tre sektorët kryesorë: në tregti, hotele dhe restorante, në ndërtim dhe në atë të shërbimeve. Kredia për grupin e parë ka mbajtur një normë të ngjashme rritjeje me tremujorin paraardhës, prej 5.5%. Një kontribut të veçantë, sipas BSH-së në këtë rritje ka dhënë zgjerimi i kredisë për hotele dhe restorante, i cili është një nga sektorët më të goditur nga pasojat e pandemisë Covid-19. Në fund të muajit shtator, pesha e këtij sektori ndaj kredisë për biznese arriti në 6.4%, ose rreth 2 pikë përqindje më shumë se mesatarja në vite. Ritmet e rritjes së kredisë për bizneset në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit kanë qenë në trajektore pozitive deri në tremujorin e dytë, për të ndryshuar në tremujorin e fundit, ku shënuan përkatësisht 13.5% dhe 7.6%. Këto sjellje janë shoqëruar me zgjerimin e peshës së tyre ndaj totalit në përkatësisht 15.3% dhe 14.3%.

Sektori i industrisë ishte i vetmi sektor i cili u tkurr në krahasim me tre muaj më parë, duke konfirmuar shenjat ngadalësuese të normave të rritjes të nisur që para një viti. Pesha e kredisë për këtë sektor ndaj totalit u reduktua lehtësisht në 25.1%. Një peshë të ngjashme me fundin e vitit 2019 ka ruajtur edhe sektori i bujqësisë, i cili përfiton 1.4% të fondeve të akorduara bizneseve.

Të dhënat tregojnë se përmirësimi i ritmeve të rritjes për kredinë e korporatave ka balancuar ngadalësimin e kredisë për biznesin e vogël e të mesëm (NVM). Për të dytin tremujor radhazi, kredia për këtë grup ka shfaqur rritje të dobët tremujore, duke reflektuar si rënien më të fortë të kërkesës për kredi, ashtu edhe shtrëngimin e standardeve të kreditimit nga bankat. Bizneset e vogla e të mesme janë edhe grupi më i prekur nga pasojat e Covid-19. Kredia për biznesin e madh ka shfaqur ritme më të larta rritjeje, e ndihmuar edhe nga niveli më i lartë i kredive të reja të disbursuara për këtë grup.

Portofoli i kredisë për NVM-të është i mbizotëruar nga kredia në valutë, e cila ka ruajtur një peshë konstante rreth 55% në pesë vitet e fundit. Gjatë vitit 2020, rritja e shpejtë e kreditimit në lekë për këtë segment, ndihmoi në zgjerimin me 2.5 pikë përqindje të peshës së saj.

Dinamika e kreditimit brenda grupit të NVM-ve tregon se, gjatë periudhës së pandemisë, është tkurrur dukshëm kredia për bizneset mikro, ndërsa është konfirmuar rritja prej disa vitesh e kredisë për biznesin e mesëm. Në pesë vitet e fundit, bankat kanë zgjeruar gradualisht peshën e kredisë për biznesin me madhësi mesatare, duke ulur në të njëjtën kohë ekspozimin ndaj biznesit të madh. Gjatë vitit 2020, pesha e kredisë për biznesin e madh ndaj totalit të biznesit ka mbetur e pandryshuar nga fundi i vitit 2019, në rreth 52%. Këto zhvillime janë shoqëruar edhe me zhvendosjen e portofolit të NVM-ve drejt kredive me afat të gjatë maturimi. Ndërsa, për kreditë e biznesit të madh, struktura sipas maturitetit ka mbetur përgjithësisht e pandryshuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë