Para

Sektori bankar rriti peshën e kredisë të mbuluar me kolateral në 2020

Vitin e kaluar sektori bankar në vend rriti peshën e kredisë të mbuluar me kolateral në portofolin e vet.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë,pjesa më e madhe e portofolit të kredisë, rreth 79.65% është e kolateralizuar, duke u rritur në peshë me 1.45 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Sipas llojit të kolateralit, pasuritë që janë më dominuese ngelen ata të paluajtshme.

 Rreth 53% e kredisë bankare në fund të vitit të kaluar ishte e kolateralizuar me prona.

Kreditë për individët kanë një nivel më të lartë mbulimi me pasuri të paluajtshme me 63%; për segmentin e kredisë në valutë të individëve shkalla e mbulimit me kolateral pronë arrin në 72%.

Te bizneset, shkalla e mbulimit me kolateral pronë është pak më e ulët, mesatarisht me 48%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar bankat kishin në pronësi rreth 41 miliardë lekë aktive jofinanciare, që në pjesën më të madhe konsistojnë pikërisht në prona të riposeduara për kreditë e pakthyera. Mbajtja e një vlere të lartë pronash në bilance i ekspozon bankat ndaj rrezikut të rënies së çmimit të tyre dhe humbjeve të mundshme, ndaj Banka e Shqipërisë vendosi që ky rrezik duhet mbajtur nën kontroll përmes zhvlerësimit gradual të tyre.

Mes bizneseve përdoren më shumë llojet e tjera të kolateralit, që mund të përfshijnë pasuri të luajtshme, si për shembull makineri e pajisje që blihen me kredi, por sidomos kolaterale financiarë. Kolaterali financiar më i zakonshëm janë aksionet e bizneseve huamarrëse, sidomos në segmentin e biznesit të madh. Kolateralet e këtij lloji mbulojnë rreth 43% të portoflit në lekë dhe 26% të portofolit në valutë të bizneseve.

Treguesi i kredive me probleme vitin e kaluar pësoi një rënie me 0.26 pikë përqindje gjatë vitit 2020, duke arritur në 8.11% në fund të dhjetorit. Rënia ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave më të fundit, në muajin maj ky raport zbriti në nivelin 7.8%.

Megjithatë, stoku i kredive të këqija gjatë vitit 2020 shënoi rritje në 49.4 miliardë lekë, duke u rritur me 2.5% krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë